Konfiskohen mbi 30 kg substancë narkotike dhe arrestohen 2 persona
Prishtinë, 27 dhjetor - Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, njësia në Mitrovicë-Veri, në punën e vazhdueshme për luftimin e veprave penale ka konfiskuar mbi 30 kilogramë substanca narkotike si dhe ka bërë arrestimin e dy personave të dyshuar.
Me autorizimin e gjykatës kompetente me 25.12.2013, rreth orës 22:00, hetuesit policorë kanë zhvilluar një operacion ku është bërë kontrollimi i një veture dhe në një bunker special (të improvizuar) kanë gjetur substancën narkotike, e dyshuar të jetë e llojit marihuanë me peshë 5. 185 (pesë kilogramë e njëqind e tetëdhjetë gramë).
Lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori publik i cili pasi është njoftuar për rastin si dhe pas prezantimit të dëshmive materiale të gjetura ka urdhëruar që të dyshuarve tu caktohet masa e ndalimit për 48 orë.
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, njësia në Mitrovicë-Veri, në vazhdimësi të punës së tyre dhe lidhur me rastin me 26.12.2013 në Xërxë, komuna e Rahovecit, kanë konfiskuar edhe 25. 615 (njëzet e pesë kilogramë e gjashtëqind e pesëmbëdhjetë gramë) gramë substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë ndërkohë që është duke u punuar në lidhje më këtë rast.