Konfiskohen mbi 122 kilogramë substancë narkotike
Prishtinë, 1 shkurt - Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në përkrahje të njësive speciale operative dhe krim-teknikës të Policisë së Kosovës sot në orët e hershme të mëngjesit në rajonin e Pejës, konkretisht në komunën e Deçanit, ka realizuar me sukses operacionin policor të koduar Fillimi.
Gjatë këtij operacioni janë realizuar dy bastisje në dy lokacione, me çrast janë arrestuar katër persona të dyshuar dhe janë konfiskuar 122 kilogramë e 180 gramë substancë narkotike, që dyshohet të jetë e llojit marihuanë dhe prova të tjera materiale.
Personat e arrestuar janë: S. U. i lindur me 1985; P. U. i lindur me 1981; F. U. i lindur me 1983; A. GJ. i lindur me 1983.
Të lartshënuarit janë arrestuar me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge.
Gjatë këtij operacioni policor në cilësi të provave materiale janë konfiskuar: 122 kilogramë e 180 gramë substancë narkotike, që dyshohet të jetë e llojit marihuanë; 1 revole e tipit TT; 512 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 3000 franga zvicerane dhe 660 euro.
Të gjitha veprimet e policisë janë kryer bazuar në urdhëresën e prokurorit përkatës ndërsa ndaj të arrestuarve është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.