Konfiskohen 11 kg substancë narkotike, arrestohen 6 persona

Prishtinë, 13 mars - Policia e Kosovës konkretisht Drejtoria për hetimin e trafikimit me substanca narkotike, njësia rajonale në Mitrovicë në punën e vazhdueshme për luftimin e veprave penale ka konfiskuar mbi 11 kilogramë të substancave narkotike si dhe ka bërë arrestimin e gjashtë personave të dyshuar.
Kështu më dje rreth orës 19:00, hetuesit policor kanë realizuar urdhëresën e lëshuar nga gjykata kompetente në lidhje me rastin e dyshuar për substancë narkotike.
Në vendin e ngjarjes afër një qendre tregtare në Mitrovicë është bërë i mundur arrestimi i personave të dyshuar të cilët dyshohet të kenë kryer veprën penale Blerje, posedim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotropike, nga neni 229/2 i Kodit Penal të Kosovës.
Personat e dyshuar tanimë të arrestuar janë: Jeton. M. lindur më 1976 mashkull, Burim. SH. lindur më 1977 mashkull, Flamur. D. lindur më 1982 mashkull shtetas nga Shqipëria, Jeton. V. lindur më 1989 mashkull, Emin. B. lindur më 1986 mashkull dhe Fadil. V. lindur më 1964 mashkull.
Zyrtarët policor në vend ngjarje kanë konfiskuar gjithsej 11.316 kg, (njëmbëdhjetë e treqind e gjashtëmbëdhjetë) kilogram substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuan, ndërkohë që gjatë kontrollit në xhepin e xhaketës së njërit nga të dyshuarit është gjetur dhe konfiskuar edhe një tabletë që dyshohet të jetë ekstazi.
Me autorizim të Gjyqtarit të procedurës paraprake është bërë edhe kontrollimi i shtëpive të të dyshuarve të përfshirë në këtë rast, me dyshimin e bazuar për posedim te substancave narkotike.
Në shtëpinë e të dyshuarit Burim. Sh. e cila gjendet në një fshat të komunës së Pejës është gjetur dhe konfiskuar një sasi e substancës narkotike e dyshuar e llojit marihuan me peshë rreth 486 (katërqind e tetëdhjetë e gjashtë) gram, ku sasia totale e substancave narkotike të konfiskuara arrinë peshën e 11. 802 kg, ndërsa në shtëpinë e të dyshuarit Jeton. M. e cila gjendej po ashtu në një fshat të komunës së Pejës është konfiskuar një pushkë artizanale.
Me vendim të prokurorit personave të dyshuar iu është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërkohë që janë duke vazhduar procedurat e mëtutjeshme hetimore nga zyrtarët policor.