Konfiskimet e pronave në kohën e komunizmit do të kompensohen
Prishtinë, 22 qershor - Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me USAID-in, me rastin e fillimit të hartimit të Strategjisë Kombëtare për të Drejtat Pronësore, me çrast u diskutua për identifikimin e shtyllave tematike që përfshijnë një spektër të gjerë të sfidave lidhur me të drejtat pronësore.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Ministri Kuçi ka thënë se, Ministria e Drejtësisë ka marrë besimin që gjatë këtij mandati, të udhëheqë procesin e identifikimit të politikave dhe masave për harmonizimin e legjislacionit që rregullon çështjen e të drejtave pronësore dhe për krijimin e praktikave të reja ligjore dhe institucionale për zbatim në praktikë të kornizës ligjore.
Sektori i të drejtave pronësore është i drejtë dhe efikas atëhere kur qytetarët i kanë të garantuara të drejtat e tyre pronësore dhe me lehtësi i gëzojnë ato në praktikë. Legjislacioni i harmonizuar dhe institucione me mandat të definuar qartë sigurojnë garantimin dhe gëzimin në praktikë të kësaj drejte thelbësore, si dhe kontribuojnë në kthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi, tha Kuçi.
Sipas Ministrit Kuçi, strategjia Kombëtare për të Drejtat Pronësore, drejtohet nga tri prioritete thelbësore, të ndërlidhura, që Republika e Kosovës i ka vënë para vetes: fuqizimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian. Pa sundim të ligjit nuk ka zhvillim ekonomik dhe mungesa e zhvillimit ekonomik cenon sundimin e drejtë të ligjit. Secili hap që garanton sundimin e drejtë të ligjit dhe hapë rrugë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik është në të mirën e shoqërisë sonë dhe na sjellë më afër Bashkimit Evropian.
Strategjia Kombëtare për të Drejtat Pronësore do të udhëzojë institucionet e Kosovës për të adresuar një sërë çështjesh në mënyrë që të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim, ti realizojnë të drejtat e tyre dhe që korniza ligjore dhe institucionale të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit:
· Harmonizimi i kornizës ligjore që përcakton qartë të drejtat pronësore dhe siguron transaksione të drejta dhe efikase të shkëmbimit të pronave, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian;
· Mbrojtja e tokës bujqësore nga fragmentimi i mëtutjeshëm dhe sigurimi u mjaftueshëm i tokës së punueshme për sektorin privat, për të zgjeruar sektorin e bujqësisë dhe për rritje të qëndrueshme ekonomike;
· Adresimi i ndërtimeve ilegale dhe uzurpimit të hapësirave publike në zonat urbane;
· Fuqizimi i rolit të gjykatave për të njohur, përcaktuar dhe zbatuar të drejtat pronësore;
· Adresimi i çështjeve pronësore të ngritura me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit;
· Garantimi dhe zbatimi i të drejtave pronësore tek gratë.
Brenda kësaj kornize, do të ndërmerren veprime me qëllim të fuqizimit dhe mbrojtjes së drejtave pronësore, duke u përqendruar në kodifikimin e drejtës civile që do të lehtësonte edhe zbatimin e ligjeve për çështjet pronësore në përgjithësi; hartimin e ligjit për pronën publike; plotësimin e ligjit të trashëgimisë; hartimin e ligjit për shndërrimin e poseduesve të ligjshëm në pronarë; hartimin e ligjit për regjistrimin e pronave, azhurnimin e rregullt të regjistrit të pronave, si dhe qartësimin e titullarëve të pronave përmes një regjistri të sigurtë; fuqizimin e sistemit gjyqësor me numër të konsiderueshëm të gjyqtarëve të specializuar për çështje pronësore; si dhe hartimin e komentarëve për të ndihmuar komunitetin e juristëve dhe sistemin gjyqësor në përgjithësi për zbatim të mirëfilltë të ligjeve.
Ministri Kuçi gjithashtu është përqendruar ne nevojën e institucioneve që të bëjnë analizimin e politikave konkrete për kompenzim të pronave të konfiskuara nga regjimi komunist. Hartimi i një ligji për kompensimin e pronave të nacionalizuara gjatë komunizmit është i nevojshëm, duke u bazuar në modelet e vendeve tjera që kanë adresuar këtë çështje.
Ministri Kuçi, ka garantuar mbështetje të plotë gjatë këtij procesi, njëkohësisht duke pritur veprime konkrete nga akterët relevant në hartimin e strategjisë dhe definimin kohor për miratimin dhe implementimin e kësaj strategjie.
Ministri Kuçi, në fund, tha Qytetari i Republikës së Kosovës ka nevojë për mbrojtje të jetës së tij dhe për këtë kemi ligje të mira, ai ka nevojë për mbrojtje të lirisë së tij ku edhe për këtë kemi ligje të mira, por ai ka nevojë edhe për ligje që e mbrojnë, përcaktojnë dhe definojnë qartë pronën e tij.