Konfirmohet pjesërisht aktakuza në një rast korrupsioni
Prishtinë, 12 qershor - Një gjykatës i EULEX-it në Gjykatën Komunale të Mitrovicës e ka konfirmuar pjesërisht aktakuzën kundër shtatë prej njëmbëdhjetë të akuzuarve të ngarkuar me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe të kontrabandës me mallra.
Gjykatësi e konfirmoi aktakuzën kundër të pandehurve Naser Damati, Avni Shyti, Nazmi Poterqi, Besim Smajli dhe Kemal Hoti lidhur me akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje të mitos, por e hodhi poshtë akuzën për kontrabandë të mallrave.
Aktakuza u konfirmua kundër Halit Fazliut në lidhje me akuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare, por u hodh poshtë akuza për kontrabandë të mallrave.
Aktakuza kundër Përparim Behramit dhe Hazir Feratit në lidhje me akuzën për kontrabandë me mallra u hodh poshtë.
Aktakuza kundër Arton Bimbashit në lidhje me akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje të mitos dhe kontrabandë të mallrave u hodh poshtë në tërësi.
Gjykatësi urdhëroi ndarjen e procedurës gjyqësore kundër të pandehurve Bashkim Muriqi dhe Skender Gashi. Për këta të pandehur do të caktohet një seancë e re për konfirmim.
Aktakuzën e ka ngritur një prokuror vendor nga Prokuroria Speciale e Kosovës.