Konferencë rajonale për sfidat në luftë kundër krimit dhe terrorizmit
Prishtinë, 1 dhjetor - Me organizim të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe në mbështetje të Presidencës së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë, më 5 dhe 6 Dhjetor 2014, në Prishtinë do të mbahet Konferenca rajonale Sfidat në luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe bashkëpunimi në Evropën jug-lindore.
Në këtë konferencë do të marrin pjesë kryeprokurorë dhe prokurorë nga Shqipëria, Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Hapja e konferencës do të bëhet nga u.d. i kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, ndërsa me fjalë përshëndetëse do të paraqiten edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson dhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë.
Në vazhdim të konferencës me kumtesa për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit do të paraqiten dy ekspertë nga Qendra Evropiane për studimet e sigurisë, George C. Marshall, një prokurorë-ekspertë në fushën kundër terrorizmit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe përfaqësues nga sistemi i drejtësisë i Republikës së Kosovës.
Në ditën e dytë të konferencës, përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse do të paraqiten me kumtesat e tyre, ku do të prezantojnë punën, legjislacionin, përvojat e vendeve të tyre në luftë kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe idetë për mundësin e thellimit të bashkëpunimit rajonal në luftë kundër këtyre dukurive. Po ashtu, në këtë ditë do të dilet edhe me konkluzionet e konferencës.
Qëllimi i organizimit të kësaj konferencë është koordinimi më i mirë dhe mundësia e thellimit të bashkëpunimit rajonal në luftë kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, kjo e fundit si dukuri e re e paraqitur në rajon.
Të ftuar në këtë konferencë do të jenë edhe mediat, ndërsa për detaje më të hollësishme, Prokurori i Shtetit do të informoj më kohë.