25 Dhjetor 2024

Komuna siguron transportin e studentëve të veriut

Mitrovicë, 27 shtator - Komuna e Mitrovicës përveç sigurimit të artikujve ushqimorë dhe mjeteve higjienike për banorët e veriut, është duke punuar për t’u ndihmuar studentëve që jetojnë në atë pjesë të qytetit sa i për transportit të tyre për në Prishtinë. Poashtu zyrtarët komunalë premtojnë se do të angazhohen edhe për ankesat e banorëve të veriut për listat e asistencës sociale.

Për këto dhe çështje të tjera të martën është biseduar ndërmjet kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati dhe përfaqësuesve të banorëve të veriut. Në takim ishin të pranishëm edhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala dhe drejtori për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Kastrot Jashari, të cilët shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar bashkëpunim e ngushtë me banorët.  

Kryetari Kastrati ka thënë se përkundër mundësve të kufizuara komuna është duke e bërë krejt çka është e mundur për t’u dalur në ndihmë këtyre banorëve. Në këtë drejtim ai përmendi edhe sigurimin e ndihmave ushqimore dhe mjeteve higjienike për rreth 460 familje të veriut.

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, falënderoj këta banorë për maturinë e treguar gjatë këtyre ditëve, duke pasur parasysh provokimet e strukturave paralele serbe. Tha se me pjekurinë  e tyre kanë ndihmuar që të ruhet qetësia dhe situata të mbahet e qetë, përkundër tensioneve të vazhdueshme.

Ndërsa sa i përket çështjes së sigurimit të mjeteve për udhëtim për studentët e veriut, foli drejtori për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Kastrot Jashari. Ai kërkoi nga përfaqësuesit e banorëve të veriut që të informojnë banorët dhe të sigurojnë të dhënat për numrin e studentëve.

Poashtu edhe për problemin e largimit të banorëve të veriut nga listat e asistencës sociale, ai premtoi se do të ndërhyj personalisht që kjo praktikë të ndërpritet meqë gjendja e tyre në përgjithësi është e rëndë. “Ne do të ndërhyjmë duke nxjerr në terren një komision adekuat që do të verifikoj gjendjen e rasteve veç e veç në mënyrë që mos të largohen nga listat e asistencës sociale ata që janë vërtet në gjendje të rëndë”. 
 
Në anën tjetër, përfaqësuesit e lagjeve të veriut, pasi kanë falënderuar drejtuesit komunalë për mbështetjen e vazhdueshme, shtruan kërkesat e tyre. Ata kanë përmendur nevojën për më tepër siguri, sikur në Kodrën e Minatorëve, mandej Kroin e Vitakut etj.

Ndërsa për çështjen e sigurimit të udhëtimit për studentët e veriut, ata kanë thënë se kjo është një çështje shumë me rëndësi. Florent Azemi, përfaqësues i Lagjes së Boshnjakëve, tha se kjo do tu ndihmoj dhe do ti motivoj ata, meqë në përgjithësi banorët e lagjes kanë probleme të mëdha ekonomike dhe sociale.

Poashtu me rëndësi të madhe është vlerësuar edhe ndërhyrja për çështjen e asistencës sociale. Nystret Cerani, nga Kodra e Minatorëve, tha se ka shumë raste që janë larguar nga listat e asistencës sociale banorë që janë në gjendje të rëndë.      

Zyrtarët komunalë u shprehen të gatshëm që të ndihmojnë edhe për transportin e nxënësve të Lagjes së Doktorëve dhe Kroit të Vitakut.   

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)