Komuna siguron 10 fotoaparate për policinë në Mitrovicë
Mitrovicë, 12 dhjetor - Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka siguruar 10 fotoaparate digjitale për pjesëtarët e stacionit jugor të Policisë së Kosovës.
Në një ceremoni rasti të organizuar për këtë donacion u vlerësua bashkëpunimi shumë i mirë ndërmjet komunës dhe policisë.
Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, tha se Policia e Kosovës është duke kryer me sukses punën e vet. Ne jemi shumë të kënaqur me punën e policisë në komunën tonë, duke pasur parasysh sfidat e mëdha me të cilat ata përballen.
Poashtu ai theksoi se bashkëpunimi ndërmjet komunës dhe policisë vazhdimisht ka qenë i mirë dhe kjo është një ndihmesë reciproke për të dyja institucionet.
Bashkëpunimi dhe ndihma reciproke është në të mirë të qytetarëve, në shërbim të të cilëve janë të gjitha institucionet.
Ndërsa komandanti i stacionit jugor të policisë, Avni Zabeli, tha se sfidat me të cilat përballen janë të mëdha, për shkak të rrethanave specifike në këtë komunë.
Probleme kemi shumë, por fal bashkëpunimi me komunën si dhe vetë qytetarët po lehtësohet situata.
Ai e çmoi shumë donacionin me 10 fotoaparate digjitale që ka siguruar komuna për stacionin e tyre.
Kemi pasur shumë nevojë për pajisje të tilla për shkak të natyrës së punës sonë që është shumë specifike.
Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se ky donacion është siguruar nga buxheti i drejtorisë në vlerë prej 1 mijë e 470 eurosh.