Komuna e shqetësuar me aksidentet e shumta në komunikacion
Prishtinë, 26 prill - Komuna e Prishtinës shpreh shqetësimin lidhur me aksidentet e shumta të komunikacionit që po ndodhin kohëve të fundit.
Një aksident i rëndë ndodhi edhe sot pranë bulevardit Bill Clinton, ku një automjet me shpejtësi shumë të madhe goditi një kalimtar 25 vjeçar, i cili tani është në gjendje të rëndë shëndetësore. Për më keq, vozitësi i automjetit nuk është ndalur, por ka tentuar të ikë nga vendi i ngjarjes, me çrast është kapur më pas nga Policia e Kosovës.
Duke shpresuar që i aksidentuari të shpëtojë e të ketë shërim, Komuna e Prishtinës kërkon nga qytetarët që të respektojnë rregullat e komunikacionit.
Komuna e Prishtinës, kërkon zbatim të përpiktë të rregullave dhe kritereve për dhënien e patentshoferëve si dhe shtimin e kontrollit në dhënien e tyre, si një nga shkaqet fillestare që ndikon drejtpërdrejtë në mosrespektimin e rregullave në qarkullimin rrugor.
Po ashtu Komuna e Prishtinës i bën thirrje Policisë, drejtorisë përgjegjëse për trafikun dhe sigurinë rrugore që të planifikojë parandalimin e aksidenteve me shkak kryesor shpejtësinë e lartë, sidomos në zonat e banuara por jo vetëm.
Të njëjtën thirrje ia drejtojmë dhe organeve të drejtësisë, gjyqtarëve që shumë shpesh janë dorëlëshuar në raste të tilla. Çdo tolerim i rasteve që shkelin rregullat e trafikut është praktikisht tolerancë ndaj një aksidenti potencial në rrugët e qytetit tonë.
Në ditët në vijim Komuna do të ndërmarrë takime me autoritetet në mënyrë që të kontribuojë në ndryshimin e kësaj gjendje aspak të mirë të sigurisë rrugore në Prishtinë.