Komuna e Mitrovicës reagon pas bllokimit të urës së Ibrit
Prishtinë, 15 shtator - Përfaqësuesit e strukturave politike dhe atyre të sigurisë në Mitrovicë, pas bllokimit me zhavorr të urës së Ibrit nga grupet kriminale serbe, janë mbledhur të enjten në një takim të jashtëzakonshëm të Komitetit lokal për vlerësimin e sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës. U vlerësua se ky është një veprim i patolerueshëm.
Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se bllokimi i urës së Ibrit që ka ndodhur të mërkurën mbrëma nga grupet kriminale serbe ka shqetësuar si përfaqësuesit e institucioneve ashtu edhe banorët joserbë, sidomos ata që jetojnë në veri. Bllokimi i rrugëve është i patolerueshëm, meqë ndikon në bllokimin e lëvizjes së qytetarëve, të cilët mbesin të izoluar.
Në këtë kontekst, përmendi banorët shqiptarë të Kodrës së Minatorëve, të cilët prej përfundimit të luftës qarkullojnë vetëm me një autobus që mbanë linjën për në jug të qytetit. Tha se nxënësit e asaj lagjeje të enjten nuk kanë mundur të shkojnë në shkollë, meqë nuk ka mundur të qarkulloj autobusi për shkak të bllokimit të rrugës kryesore.
Ai kërkoi nga strukturat e sigurisë, si nga Policia e Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, që të ndërmarrin masa të menjëhershme për zhbllokim e rrugëve. Ai thekoi se këto struktura nuk duhet të lejojnë fare që grupet kriminale të veprojnë lirshëm dhe të bllokojnë rrugët sa herë që u teket.
Në anën tjetër, nga banorët kërkoi që të jenë gjakftohtë dhe mos të bien pre e provokimeve të strukturave paralele serbe në veri, që duan të destabilizojnë situatën. Qytetarët nuk duhet të bëhen pjesë e këtyre veprimeve provokuese, meqë institucionet e Republikës së Kosovës janë në koordinim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare për kthimin e normalitetit në veri.
Ndërsa komandanti rajonal i policisë së Kosovës në veri, Nehat Thaçi, tha se grupet serbe të mërkurën mbrëma përveç bllokimit të urës së Ibrit me zhavorr, kanë dëmtuar edhe një nga kamerat e vendosura në këtë urë, prej të cilave vazhgohet situata. Megjithatë ai tha se kamerat tjera janë funksionale.
Ai njoftoi se në lagjet me popullatë të përzier në veri janë shtuar masat e sigurisë.
Thaçi theksoi se nuk ka indikacione për eskalim në ditët në vazhdim, meqë qytetarët e rëndomtë nuk janë duke i përkrahur veprimet e këtyre grupeve të vogla që janë duke bllokuar rrugët në veri.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, o fokusua në situatën e qytetarëve në lagjet që kanë mbetur të bllokuar, sikur ata të Kodrës së Minatorëve dhe ata të fshatrave shqiptare të Leposaviqit. Tha se strukturat e sigurisë duhet që të marrin masa për krijimin e kushteve për lëvizjen e tyre të lirë.
Poashtu edhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Rrustem Musa, i cili mori pjesë në këtë takim të jashtëzakonshëm të Komitetit lokal për vlerësimin e sigurisë, tha se bllokimi i këtillë i rrugëve nuk bën të tolerohet. Tha se kjo do të ndikoj në tensionimin e situatës, e cila mund të eskaloj nëse vazhdon kështu.