Komuna e Mitrovicës organizon aktivitete për gratë e të pagjeturve
Mitrovicë, 20 prill - Me rastin e fillimit të Javës së Personave të Pagjetur, Njësia për të Drejta të Njeriut në Mitrovicë, organizon një aktivitet me kryefamiljaret e personave të pagjetur, të cilat akoma nuk din për fatin e më të dashurve të tyre, të zhdukur gjatë luftës së fundit.
Një autobus me mbi 30 gra kryefamiljare, është nisur nga Mitrovica për në qytetin e Gjakovës. Ato fillimisht do të vizitojnë shtëpinë muze, njëherësh do të takohen me zyrtarë për të drejta të njeriut në këtë komunë. Më pastaj, do të vizitojnë varrezat e Mejes, si dhe Krushën e Vogël.
Fitim Rama, nga Njësia për të Drejtat e Njeriut, që është organizatore e këtij aktiviteti, tha se qëllimi i këtyre vizitave është që të takohen gratë kryefamiljare që kanë dhimbjen e njëjtë, që së paku të bashkëbisedojnë për çështjen e fatit të njëjtë që patën më të dashurit e tyre.
Ky aktivitet është organizuar nga Njësia për të Drejta të Njeriut, në bashkëpunim me shoqatën e familjarëve të të pagjeturve Zëri i Prindërve, ndërkaq është mbështetur financiarisht nga komuna.