Komuna e Mitrovicës harton planin për raste emergjente
Mitrovicë, 26 maj - Komuna e Mitrovicës e para në Kosovë ka hartuar Planin operativ emergjent për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera.
Ky plan vlerësohet shumë i rëndësishëm meqë identifikon rreziqet, nevojat, kapacitetet dhe përcakton përgjegjësitë për raste emergjente.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se për hartimin e këtij plani me mbështetje të kryetarit të komunës është formuar një grup punes, ku kanë marrë pjesë nënkryetari, drejtorët komunalë, përfaqësues të policisë, FSK-së, Agjensionit për Menaxhimin e Emergjencave dhe të tjerë.
Është punuar në bashkëpunim të ngushtë dhe është përgatitur një plan shumë i detajuar që parasheh dhe përcakton veprimet në raste rreziku.
Bala tha se Mitrovica me këtë plan bëhet komuna e parë në Kosovë që ka një dokument të tillë strategjik.
Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në përgatitjen e këtij plani, i cili pasi të plotësohet do të jetë një dokument zyrtar i Komunës së Mitrovicës.
Planin operativ për emergjenca e vlerëson lartë është eksperti i sigurisë, Hajriz Sejdiu, i cili së bashku me ekspertin tjetër, Mustafë Gashi, kanë asistuar grupin punës.
Mitrovica përveç fatkeqësive natyrore që mund ta godasin e ka edhe një specifikë tjetër sepse është qytet i ndarë. Është parë e domosdoshme që në bashkëpunim me institucionet e qeverisë në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës të hartohet një plan operativ gjithëpërfshirës për të gjitha llojet e rreziqeve.
Ai tha se janë identifikuar edhe llojet e rreziqeve. Mitrovica rrezikohet nga shumë rreziqe, por ne kemi filluar me ato me prioritet, me ato që rrezikojnë jetën e njeriut, të mirat materiale trashëgiminë ambientin. Kemi ardhur në përfundim të bëjmë vlerësim për rreziqet nga vërshimet, tërmetet, zjarret, kemi dy anekse specifike për materiet e rrezikshme dhe pendën e Ujmanit.