Komuna e Mitrovicës dhe FSK thellojnë bashkëpunimin
Mitrovicë, 3 gusht - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, priti të martën në takim zëvendësministrin e FSK-së, Behxhet Brajshori dhe zëvendëskomandantin e FSK-së, gjen. Rrahman Rama, me të cilët bisedoi për bashkëpunimin e ndërsjellë në mes të pushtetit lokal dhe FSK-së.
Kryetari Kastrati i falënderoi mysafirët për interesimin dhe për angazhimin e tyre në drejtim të thellimit të bashkëpunimit në të mirë të të dy institucioneve dhe në këtë kontekst edhe të të gjithë qytetarëve.
Ai shprehu zotimin se komuna do të vazhdoj të jetë e angazhuar karshi përgjegjësive të veta në raport me nevojat e FSK-në në Mitrovicë.
Ai u ndal tek hapësira ku është e vendosur Brigada për Reagim të Shpejtë e FSK-së në Mitrovicë, ku sipas tij, është një vend i mirë dhe që ofron kushte shumë të mira për ushtarët e FSK-së.
Kryetari Kastrati, uroj që FSK-ja sa më parë të arrij kapacitetet e plota dhe të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Në këtë drejtim edhe zëvendësministri Brajshori dhe zëvendëskomandanti Rama, kanë vlerësuar qasjen konstruktive të kryetarit Kastrati dhe të pushtetit lokal në raport me FSK-në.
Brajshori tha se janë duke punuar shumë që të arrihen sa më parë kapacitetet e plota të FSK-së. Ai theksoi se ecuria është shumë e mirë dhe në këtë kontekst përmendi edhe përmirësimin e strukturës etnike të FSK-së.
Ndërsa Rama, tha se në kazermën ku është e vendosur FSK-ja në Mitrovicë janë duke u realizuar disa projekte që kanë të bëjnë me krijimin e një ambienti të përshtatshëm për punë.
Ai paralajmëroi se deri në fund të vitit të ardhshëm aty do të kryhen edhe shumë projekte të tjera dhe ai vend do të përmbush standardet më të larta për punën e FSK-së.