Komuna e Mitrovicës apelon për të shmangur zjarret
Mitrovicë, 2 maj - Zjarret që janë shpeshtuar ditëve të fundit në pyje dhe fusha në komuna të ndryshme, duke përfshirë edhe rajonin e Mitrovicës, kanë shqetësuar si qytetarët ashtu edhe zyrtarët komunalë.
Në këtë drejtim zyrtarët e Komunës së Mitrovicës, përkatësisht ata të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, apelojnë për të qenë të kujdesshëm në mënyrë që të shmangen zjarret.
Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, apelon që qytetarët të jenë kujdesshëm dhe vigjilent për shmangien e gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit.
Zjarri mund të shkaktohet me një fije shkrepëse, por nuk mund të shuhet me ekipe të tëra të zjarrfikësve, përderisa pasojat mund të jenë të paparashikueshme.
Ai përkujton se vëzhgimi, lajmërimi dhe alarmimi me kohë i shfaqjes së zjarrit do të mundësojë intervenimin e shpejtë dhe efikas të Shërbimeve Zjarrfikëse dhe ekipeve të shpëtimit në lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit.
Gjithashtu ai përkujton edhe masat ligjore ndaj atyre që në çfarëdo mënyre rrezikojnë shkaktimin e zjarreve.
Drejtori Bala kërkon nga Policia e Kosovës që të jetë më rigoroze sa i përket rasteve të zjarrvënës me qëllim.