03 Maj 2024

Kompanitë që nuk i përmbushin obligimet mos të marrin tendera

Prishtinë, 17 korrik - Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, i kryesuar nga kryetari i komisionit Ahmet Isufi, mbajti sot dëgjim publik lidhur me mbikëqyrjen e shpenzimeve financiare të institucioneve të sigurisë, në të cilin takim morën pjesë përfaqësues të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik dhe të Policisë së Kosovës.

Ndërkaq,  mos prezenca e ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, u kritikua nga anëtarët e komisionit.

Me këtë rast u sqarua edhe informata nga MPB-ja se ministri Rexhepi lidhur me këto çështje ka raportuar në dy komisione parlamentare, Komisionin për Buxhet, si dhe Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Fillimisht, anëtari i komisionit, Fatmir Xhelili, duke prezantuar raportin e grupit të punës lidhur me mbikëqyrjen e shpenzimeve financiare të sektorit të sigurisë, tha mes tjerash se qëllimi i grupit të punës ishte fakti që të shikohet kualiteti i mënyrës së menaxhimit të financave në segmentin e sektorit të sigurisë, nëse janë duke u realizuar politikat e planifikuara për shpenzimin e mjeteve në kuadër të MPB-së, Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor të Kosovës dhe forcave të sigurisë.

Duke folur rreth angazhimeve të grupit të punës së komisionit për këtë çështje, Xhelili tha se ata kanë kërkuar nga MPB-ja dhe PK-ja që të ofrojë dokumentacionin për shpenzimet e detajuara  për mallra dhe shërbime gjatë tri vjetëve të fundit, kopjet e të gjitha dokumenteve të kontratave të konsulencës dhe dokumentacionet  tenderuese, për vitet 2010, 2011 dhe 2012.

Pasi sqaroi se kanë kërkuar kopjet e të gjitha kontratave të prokurimit  dhe kopjet që lidhen me shitjen e  aseteve, tha se bashkëpunimi me këto institucione ka qenë në nivel të kënaqshëm dhe se është ofruar me kohë dokumentacioni dhe materiali i kërkuar.

Xhelili më tej tha se gjatë këtij hulumtimi janë evidentuar lëshime. Me këtë rast ai tha se në Policinë e Kosovës janë bërë lëshime në procedura të tenderimit, menaxhimit dhe përcjelljes së implementimit të projekteve, për të cilat tha se ka çalime të mëdha.

Tutje, Xhelili shtoi se duhet të krijohet një listë e zezë e kompanive të cilat nuk i përmbushin obligimet e tyre, që të mos jenë më në konkurse tenderuese, e assesi të favorizohen. Ai tha se këto institucione po ashtu duhet të ndjekin udhëzimet e KRPP-së.

Ndërsa, kryetari i komisionit Ahmet Isufi tha se një kontroll i tillë demokratik mundëson që ministria apo institucionet tjera të jenë më funksionale dhe më të rregullta në shpenzimin buxhetor.

E anëtarja e komisionit Vjollca Krasniqi tha se gjatë analizës së kontratave të këtyre institucioneve pothuajse në secilën lëndë ka të gjetura.
 
Nënkryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Ramiz Lladrovci, sqaroi para anëtarëve të komisionit parlamentar për siguri se ky komision ka shqyrtuar raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për MPB-në dhe PK-në, duke sqaruar se raportet kanë qenë me opinion të pakualifikuar.

Ai tha se është diskutuar për të gjeturat dhe është kërkuar nga ZAP-i që ta ndajë auditimin e MPB-së nga PK-ja, ngase sipas tij ka pasur të gjetura në PK, të cilat i shpalosi gjatë këtij takimi.

Pas diskutimit të anëtarëve të komisionit parlamentar për siguri, pyetjeve dhe shqetësimeve që u ngritën nga ta iu përgjigjën përfaqësues të KRPP-së dhe të Policisë së Kosovës.

Drejtori i Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse në Policinë e Kosovës, Fahredin Vërbovci, tha mes tjerash se PK-ja i ka marrë me seriozitet të gjitha të gjeturat nga ZAP-i dhe se kanë bërë një Plan Veprimi, në mënyrë që t’i evitojnë të gjitha rekomandimet të cilat janë evidentuar.

Krejtësisht në fund të këtij dëgjimi publik, komisioni u dakordua që të hartojë raportin për mbikëqyrjen e shpenzimeve financiare të institucioneve të sigurisë, i cili raport do të prezantohet në Kuvend, me rekomandime të komisionit.  U theksua se nëse Kuvendi e aprovon raportin, Komisioni do të përcjellë edhe më tej mplementimin e rekomandimeve që do të dalin nga raporti.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)