Komisionit për Punë të Brendshme e Siguri mbështet Qeverinë
Prishtinë, 19 shtator - Gjendja aktuale e sigurisë në Republikën e Kosovës, me theks të veçantë në veri të vendit, ishte temë diskutimi në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga Ahmet Isufi, kryetar i komisionit.
Me këtë rast anëtarët e Komisionit duke vlerësuar gjendjen në veri, si dhe hapat që duhet ti ndërmarrë Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme, konfirmuan se u japin mbështetje institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare që të jenë prezent në veri të vendit më gjithë mekanizmat e tyre, në mënyrë që të ketë një funksionim të jetës normale edhe në këtë pjesë të vendit dhe zbatim të rendit dhe ligjit.
Duke theksuar se zbatimi i Kushtetutës në gjithë territorin e vendit është obligim institucional, anëtarët e komisionit vlerësuan se institucioneve relevante duhet tu jepet kohë për të përmbushur pritjet e qytetarëve të vendit.
Anëtarët e komisionit njëzërit kërkuan që të bëhen hapa tjerë nga institucionet e vendit që të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve duke hequr barrikadat në veri të vendit.
Të funksionalizohen gjykatat në veri me të gjithë resorët e ministrive. Të veprohet në mënyrë të planifikuar për gjashtë muajt e ardhshëm, sipas planit të paraparë nga faktori ndërkombëtar dhe vendor, theksuan anëtarët e komisionit.
Disa nga anëtarët e komisionit vlerësuan se situata në veri pos që është e tensionuar, atje ekzistojnë edhe probleme tjera të mëdha, si çështja e kufirit, prezenca ilegale e institucioneve të Serbisë, etj, duke shtuar se grupe të ndryshme kriminale vazhdojnë ta terrorizojnë popullatën serbe dhe shqiptare në këtë pjesë.
Në vijim të mbledhjes, anëtarët e komisionit kanë shqyrtuar propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me përcaktimin e përgjegjësive dhe procedurave të zbarkimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, e cila mori mbështetjen e anëtareve të komisionit, dhe mund të procedohet më tej.
Anëtarët e komisioni kanë shqyrtuar në parim edhe Projektligjin për sistemin e adresave, me çrast formuan një grup pune.
Më tej anëtarët e komisionit shqyrtuan dhe miratuan propozim-amendamentet e Projektligjit për Agjencinë Kosovare të Forenzikës.