Komisioni kundershton memorandumin mes MFSK dhe MPB
Prishtinë, 10 janar - Sot, në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, të kryesuar nga Ahmet Isufi, kryetar i komisionit, u shqyrtua Memorandumi i Mirëkuptimit mes Ministrisë së Forcës së Sigurisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Me këtë rast kryetari i komisionit parlamentar për siguri, Ahmet Isufi, duke paraqitur disa nga vërejtjet rreth këtij dokumenti, kritikoi fillimisht dy ministritë përkatëse, të cilat nuk e kanë sjellë zyrtarisht dokumentin në komisionin parlamentar.
Ministritë duhet të jenë më të kujdesshme dhe më të përgjegjshme ndaj komisioneve parlamentare, në mënyrë që rregullat e funksionimit institucional dhe bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Qeverisë të jenë në nivelin e duhur. Ne duhet të jemi të informuar në mënyrë zyrtare për veprimet që i bëjnë ministritë, e assesi të marrim dokumente nga ueb faqet e ministrive., theksoi Isufi.
Më tej, Isufi duke folur për memorandumin në fjalë, tha se ky dokument duhet të rishqyrtohet nga ministritë përkatëse, me theks të veçantë pika 1.7, 1.8 dhe 1.9 e këtij memorandumi, meqë shtoi ai, këto tri pika lënë hapësirë për interpretime të ndryshme.
Anëtarët e komisionit, duke paraqitur shqetësimet e tyre rreth këtij dokumenti, theksuan se ky memorandum mes dy ministrive ka sjellë konfuzion tek opinioni publik, ndërkaq kritikuan njëzëri të dy ministritë për mosbashkëpunim me Komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri.
Gjatë këtij takimi anëtarët e komisionit u dakorduan që të kërkohet përgjigje në mënyrë zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Forcës së Sigurisë, si dhe të shqyrtohet sërish ky dokument.
Po ashtu u kërkua që MPB-ja dhe MFSK-ja të bëjnë ndryshimet e propozuara bazuar në rekomandimet e anëtarëve të komisionit, e më pas ministrat e këtyre dy ministrive të raportojnë para anëtarëve të komisionit lidhur me këtë çështje në dëgjim publik.
Anëtarët e Komisionit gjatë mbledhjes së sotme shqyrtuan edhe raportin e Punës së Komisionit, për vitin 2011, si dhe Planin e Veprimit të Komisionit, për vitin 2012.