29 Dhjetor 2024

Komisioni kërkoi masa konkrete për vendosjen e rendit në veri

Prishtinë, 13 prill - Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, u shqyrtua situata e sigurisë në Republikën e Kosovës.

Me këtë rast, Isufi duke shprehur shqetësimin e tij për ngjarjen që ka ndodhur ditë më parë në pjesën veriore të Mitrovicës (me ç‘rast është sulmuar familja Haradinaj dhe është vrarë Selver Haradinaj) tha se situata e sigurisë në komunat Leposaviq, Zubin-Potok, Zveqan dhe pjesën veriore të Mitrovicës, vazhdimisht është duke u përkeqësuar, si dhe duke u shkelur Kushtetuta dhe ligjet në vend.

Më tej ai sqaroi se Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri pasi ka shqyrtuar situatën e sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë në Veri, ka marrë vendim që t’i drejtohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, me disa rekomandime për të ndërmarrë masa konkrete për vendosjen e rendit dhe sundimin e ligjit në këto komuna.

Ndërkaq, u theksua se 15 ditë pas pranimit të këtyre rekomandimeve ministri i MPB-së dhe Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, obligohet të raportojnë në komision për situatën në këto tri komuna dhe se MPB-ja dhe PK-ja urgjentisht të planifikojnë dhe të ndërmarrin masa që të sigurojnë zbatimin e Kushtetutës në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Në shtatë rekomandimet e komisionit thuhet se MPB-ja dhe Policia e Kosovës  duhet të dëshmojnë përmbushjen e misionit për vendosjen e rendit dhe kushtetueshmërisë.

Pavarësisht situatës së ndjeshme dhe specifikave që ka shteti i Kosovës, institucionet e saj duhet të marrin vendime dhe të qojnë  përpara gjërat me interes për qytetarët e vendit.

Më tej në rekomandimet e komisionit thuhet se duhet të bëhen vlerësime gjithëpërfshirëse të situatës së sigurisë dhe të veprohet  konform me situatën e krijuar duke përdorur të gjitha mjetet kushtetuese dhe ligjore dhe të instalojnë dhe funksionalizojnë urgjentisht institucionet për mbrojtjen e rendit kushtetues, rendit dhe qetësisë publike, të cilat funksionojnë nën autoritetin kushtetues të institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës.

Tutje, u theksua që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur qytetarët të cilët mund t’iu nënshtrohen kërcënimeve ose veprimeve diskriminuese, armiqësisë apo dhunës, si rrjedhojë e identitetit të tyre kombëtar, etnik, kulturor, gjuhësor ose fetar, theksohet në rekomandimet e komisionit parlamentar për siguri, duke shtuar se duhet të ketë një bashkëpunim dhe koordinim më të mirë, në mes të mekanizmave që janë përgjegjës për sigurinë në Kosovë, meqë në disa raste ka rezultuar, që ky bashkëpunim dhe koordinim nuk ka qenë në nivelin e duhur.
Përveç me institucionet vendore, koordinimi dhe partneriteti duhet të fuqizohet edhe me praninë Ndërkombëtare në Kosovë si atë Ushtarake dhe Policore (KFOR dhe EULEX).

Organet e sigurisë pranë pushtetit  lokal  të Mitrovicës  siç janë: Këshillat Lokal për Siguri Publike (KLSP), Ekipet Vepruese për Siguri ne Bashkësi (EVSB) dhe Këshillat komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) duhet të kenë një mbështetje më të madhe, në kapërcimin e situatës së tensionuar dhe krijimin e një situatë më të qetë dhe stabile. Përpjekjet e lidershipit për integrimin dhe krijimin e stabilitetit atje duhet të mbështeten më shumë nga institucionet qendrore.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Qeverinë dhe organizmat tjerë përgjegjës, duhet të ndërmarrin hapa konkret që të sigurohet jeta, prona dhe lëvizja e lire në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveqan dhe pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës në mënyrë që të parandalohet vendosja e ligjit në duar të individëve.

Strategjia për neutralizimin e veprimtarisë se strukturave kriminale dhe strukturave ilegale të sigurisë duhet të jetë, një strategji e kombinuar, duke e bërë të qartë se nuk do të lejohet zhvillimi i aktiviteteve që cenojnë shtetin e Kosovës dhe sigurinë e qytetarëve të saj, theksohet në rekomandimet e komisionit, drejtuar MPB-së dhe PK-së, të cilat i paraqiti kryetari i komisionit, Ahmet Isufi.

Anëtarët e Komisionit gjatë diskutimit të tyre theksuan se gjendja e sigurisë në pjesën veriore është e tensionuar dhe mjaft shqetësuese. U tha se  MPB-ja nuk ka qenë në nivelin e përgjegjësisë të cilën ia përcakton Kushtetuta, dhe se MPB-ja nuk ka pasur një plan operativ për situatën e krijuar në këtë pjesë. Andaj, u theksua se MPB-ja duhet t’i përdorë të gjithë mekanizmat e sigurisë për të menaxhuar situatën atje, meqë kjo është përgjegjësi primare e MPB-së dhe PK-së që të kryejnë mandatin e tyre për të vendosur sundimin e rendit dhe ligjit.

Anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, me shumicë votash përkrahën rekomandimet për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, për të ndërmarrë masa konkrete për vendosjen e rendit dhe sundimin e ligjit në këto komuna.

Në vazhdim të mbledhjes anëtarët e komisionit formuan grup pune për shqyrtimin e raportit të punës së Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për vitin 2011, si dhe u dakorduan që lidhur me vendimin e Presidentes për rishqyrtimin e Ligjit për pensionet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të mbahet një takim i përbashkët me Komisionin për Buxhet dhe Financa.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)