Komisioni i Sigurisë kërkon informata nga EULEX-i për Veriun
Prishtinë, 25 shkurt - Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga kryetari Ahmet Isufi, në mbledhjen e sotme diskutoi lidhur me gjendjen e sigurisë në vend.
Me këtë rast, Isufi vlerësoi se në fazën e dialogut Kosovë-Serbi ka sulme të vazhdueshme, serike, me theks të veçantë në Veri.
Ai tha se komisioni parlamentar për siguri i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme që të dërgojë informatë lidhur me incidentet të cilat po ndodhin në Kosovë, por deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Ai shtoi se në bazë të informatës nga ministria, komisioni do të jap një vlerësim dhe rekomandim për veprimet që duhet ti ndërmarrë MPB-ja dhe mekanizmat tjerë të sigurisë në Kosovë.
Gjatë këtij diskutimi anëtari i komisionit Fatmir Xhelili, propozoi që të kërkohet një informatë më shkrim nga EULEX-i lidhur me gjendjen e sigurisë në vend, me theks të veçantë në veri.
Ndërsa, nënkryetari i komisionit, Rexhep Selimi, duke theksuar se është kundër kësaj kërkesë, kritikoi raportimet e ministrit të MPB-së në komision, duke shtuar se EULEX-i nuk duhet të na njoftojë neve si komision, por MPB-ja.
Për veriun informacion dhe raportim duhet të kërkojmë nga institucionet e vendit që janë të thirrura për një gjë të tillë, tha Selimi.
Megjithatë, me shumicë votash, komisioni u dakordua që të kërkojë informatë zyrtare nga EULEX-i lidhur me gjendjen e sigurisë në vend, me theks të veçantë në Veriun e Kosovës
Ndërsa, sa i përket Projektligjit nr. 04/ L-173 për Përgjimin e Telekomunikimeve, u tha se pas vendimit të grupit të punës së Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, si dhe të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë, komisioni do të marrë vendim për fazën e mëtejmë të këtij projektligji, nëse do të procedohet më tej me këtë projektligj apo do ti kthehet qeverisë.
Në vijim të mbledhjes, anëtarët e komisionit u njoftuan edhe rreth vizitës se delegacionit të Komisionit në Bruksel, më 4 dhe 5 mars, që ka të bëjë me çështjen e sigurisë.