KOMF reagon ndaj lajmit për ngacmim seksual të të miturës
Prishtinë, 16 maj - KOMF reagon me shqetësim të madh për lajmin e publikuar në media, ku është raportuar për ngacmim seksual të një vajze të mitur, nga disa djem po ashtu të mitur, brenda mjediseve shkollore.
KOMF bën thirrje dhe apelon tek të gjitha mediat që kanë publikuar pamje filmike dhe të dhëna që cënojnë identitetin e të miturës dhe të miturve tjerë, ti largojnë ato.
Pamjet filmike, zbulimi i emrit të shkollës, zbulimi i klasës dhe të dhëna të tjera, çojnë në zbulim të identitetit të fëmijës, dëmtim të rëndë dhe riviktimizim të fëmijës, fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Për shkak të ndjeshmërisë së lartë të rastit dhe moshës shumë të vogël të fëmijëve të përfshirë në rast, KOMF bën thirrje që mediat në radhë të parë të mbrojnë konfidencialitetin e rastit duke pasur në fokus interesin më të mirë të fëmijës.
KOMF bën thirrje drejt Qendrës për Punë Sociale që me prioritet të ofrojë shërbimet për mbrojtje dhe rehabilitim për fëmijën dhe të ndërmerren të gjitha shërbimet e nevojshme për fëmijët e tjerë.
Po ashtu, KOMF bën thirrje karshi të gjithë institucioneve të mandatuar dhe të përfshirë në këtë rast, që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në përputhje me legjislacionin.
Si KOMF përmes organizatave anëtare të cilat ofrojnë shërbime direkte sociale dhe psikologjike për fëmijët, ofrojmë mbështetjen tonë për këtë rast, nëse kjo kërkohet nga institucionet.
KOMF do të monitorojë nga afër dhe intensivisht veprimet që do të ndërmerren nga institucionet përkatëse në lidhje me këtë rast dhe në të njëjtën kohë bën një apel ndaj gjithë organeve të përfshira në rast që të ndërmarrin veprime urgjente për trajtimin e tij.