KOMF: Emigrimi ilegal vë në rrezik jetën e fëmijëve
Prishtinë, 4 shkurt - Muajt e fundit jemi bërë dëshmitarë të emigrimit ilegal të një fluksi të madh të njerëzve jashtë shtetit të Kosovës, ndër ta edhe shumë fëmijë.
Bazuar në interesin më të mirë të fëmijës dhe duke pasur parasysh gjithmonë mirëqenien e tyre, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve-KOMF, shprehet tejet i brengosur për mirëqenien e fëmijëve të cilët po emigrojnë ilegalisht.
KOMF thekson se emigrimi ilegal vë në rrezik jetën e fëmijëve. Emigrimi ilegal ka rreziqet e veta, përfshirë rrugëtimin jo të sigurt, temperaturat e ulëta të sezonit dimëror, qëndrimin e gjatë nëpër kampe, etj.
Iu kërkojmë institucioneve publike, të mandatuara për mbrojtjen e fëmijëve dhe garantimin e mirëqenies së tyre, të marrin masat urgjente për të parandaluar dhe menaxhuar situatën e krijuar. Vetë statistikat e emigrimit të nxënësve të dhëna nga MASHT janë tejet alarmante.
KOMF shprehet po ashtu i brengosur për rastet, të cilat janë raportuar në media, lidhur me emigrimin e fëmijëve të pashoqëruar nga prindërit apo kujdestarët e tyre. Po ashtu, kërkojmë nga Policia kufitare që të kenë parasysh rastet e tilla.
\"Ne jemi të vetëdijshëm për gjendjen e rëndë të qytetarëve të Kosovës dhe po ashtu për të drejtën e tyre për të kërkuar një jetë më të mirë. Por, i lusim të gjithë prindërit që të mendojnë për rreziqet në të cilat mund të vihen fëmijët e tyre duke ndjekur rrugën e emigrimit ilegal.\"
\"Kosova po humb kapitalin kryesor të vendit, andaj i bëjmë thirrje institucioneve që të marrin masa në mënyrë emergjente për situatën e krijuar\", thuhet në komunikaten e KOMF-it.