Komandanti i KFOR-it u takua me shefin e misionit të OSBE-së
Prishtinë, 31 tetor Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Francesco Paolo Figliuolo, pati dje një takim me kryetarin e misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në Kosovë, shkelqësinë e tij ambasadorin Jean-Claude Schlumberger, në kampin \"Film City\", në Shtabin e NATO-s, KFOR-it në Prishtinë.
Gjeneral Figliuolo diskutoi me ambasadorin Schlumberger për situatën aktuale në Kosovë dhe aktivitetet e fundit të kryera nga Organizata Ndërkombëtare në rajon.
Komandanti i KFOR-it theksoi rolin kryesor të luajtur nga OSBE-ja në mbështetje të dialogut në mes të institucioneve qendrore dhe lokale, si dhe zbatimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në këtë zonë. Aktivitetet e OSBE-së janë poashtu të fokusuara në monitorimin e vazhdueshëm të punës së komunës për të identifikuar progresin dhe mangësitë dhe zbatimin e aktiviteteve relevante riparuese. Ajo gjithashtu mbështet pjesëmarrjen sa më të gjerë të popullit të Kosovës, në proceset vendim-marrëse si dhe rezultatet e arritura.
Bashkëpunimi në mes të KFOR-it dhe OSBE-së ka qenë gjithmonë shumë i rëndësishëm dhe efikas. KFOR ka mbështetur, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, aktivitetet e OSBE-së gjatë zgjedhjeve të fundit të kryetarëve të komunave dhe Kuvendeve Komunale, duke siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt, i cili mundësoi realizimin e proceseve pa incidente të mëdha.