Komandanti i KFOR-it takoi shefin e ushtrisë serbe
Krushevc, 14 mars - Në vazhdën e takimeve të nivelit të lartë, Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajori Francesco Paolo Figliuolo, dje takoi Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Serbe, Gjeneralin Lubisha Dikoviq, në Krushevc të Serbisë.
Komandanti i KFOR-it theksoi përmirësimet në gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe tha se këto arritje janë arritur si rezultat i punës së vazhdueshme dhe bashkëpunimit të të gjitha palëve të përfshira në procesin e normalizimit.
Ai gjithashtu konfirmoi përpjekjet e vazhdueshme dhe të paanshme të misionit të NATO-së në ofrimin e mjedisit të qetë dhe të sigurt si dhe lirinë e lëvizjes me qëllim të krijimit të kushteve të nevojshme për të ndihmuar dhe mbështetur progresin, demokracinë dhe modernizimin në Kosovë.
Gjatë vizitës, ata shfrytëzuan mundësinë dhe vizituan Qendrën e trajnimit për mbrojtje kimike, biologjike, radiologjike dhe nukleare (CBRN-TC), që është një nga qendrat për trajnim të specializuar të komandës për trajnime operacionale të Forcave të Armatosura Serbe.
Pjesëmarrja në kurset që ofrohen në CBRN-TC është e hapur për të gjitha vendet e rajonit, të NATO-së dhe atyre në Parnteritet për Paqe.
Në përmbyllje të diskutimeve, të dy Gjeneralët konfirmuan se ky bashkëpunim produktiv dhe i përzemërt do të vazhdojë.
Në pajtim me Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake, Komandanti i KFOR-it mban takime të rregullta me Shefat e Mbrojtjes së shteteve që kufizohen me zonën e përgjegjësisë së KFOR-it, gjë që ofron mundësi efektive për shkëmbim të informatave dhe pikëpamjeve në lidhje me gjendjen e gjithëmbarshme të sigurisë në Ballkan.
Gjatë muajve të kaluar, ai mbajti takime të këtij niveli në Podgoricë, Tiranë dhe Shkup.