Komandanti i KFOR- it, qëndroi për vizitë lamtumirëse në FSK
Prishtinë, 16 gusht - Zëvendës ministrat Fadil Gashi dhe Muhamet Latifi së bashku me komandantin e Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) gjenerallejtënant Rrahman Rama, pritën sot në një vizitë lamtumirëse komandantin e KFOR-it, gjeneral majorin Guglielmo Miglieta.
Në takimin e përbashkët, zëvendës ministri Fadil Gashi në emër të ministrit të FSK-së Haki Demolli, të Ministrisë dhe në emrin e tij personal e falënderoi gjeneralin Miglieta për shërbimin në Republikën e Kosovës si dhe nëpërmjet tij të gjithë ushtarët e KFOR-it, që shërbejnë për KFOR-in në Kosovë, të cilët kontribuojnë për siguri dhe paqe në vend si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet Ministrisë për FSK-në dhe KFOR-it në përgjithësi.
Gjithashtu edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama e falënderoi komandantin e KFOR-it, gjeneralin Miglieta për kontributin dhënë forcimit të bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe KFOR-it si dhe shprehu optimizmin se ky nivel i bashkëpunimit dhe kooperimit do të vazhdojë edhe në të ardhmen, bazuar në atë se FSK-ja dhe KFOR-i gjatë kësaj periudhe kanë pasur edhe aktivitete të përbashkëta stërvitore.
Nga ana e tij, komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Miglieta nënvizoi se: ,,bashkëpunimi KFOR-FSK ka qenë i shkëlqyer duke potencuar sidomos ngritjen e shkallës së profesionalizmit dhe kapaciteteve për tu përballur me emergjenca. Gjenerali italian Miglieta i cili qëndroi në krye të KFOR-it, për 13 muaj, tha se FSK-ja e ka dëshmuar përgatitjen dhe gatishmërinë edhe me rastin e përfundimit me sukses të ushtrimit të përbashkët ,,Shpata e argjendtë mbajtur këtë vit.
Theksojmë se raportet FSK-KFOR janë në nivel të lartë të bashkëpunimit, dhe se FSK-ja është ftuar të marrë pjesë me një tog, në ceremoninë e ndërrimit të Komandantit të KFOR-it, në fund të këtij muaji.