Komandanti i KFOR-it mbështet rotacionin në polici
Mitrovicë, 13 korrik - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, priti të mërkurën në takim komandantin e KFOR-it, Erhard Buhler, me të cilin bisedoi për gjendjen e sigurisë në këtë komunë.
Me theks të veçantë u bisedua për situatën në veri pas problemeve dhe reagimeve lidhur me rotacionin e komandantëve të stacioneve të policisë në komunat veriore.
Kryetari Kastrati, tha se situata javëve të fundit është më e qetë në veri, përkundër disa incidenteve që herë pas herë ndodhin atje.
Ai tha se nuk ka pasur ndonjë incident që do të reflektohej në situatën e përgjithshme të sigurisë.
Poashtu edhe Buhler vlerësoj se situata është e qetë në veri. Sipas të dhënave nga policia numri i rasteve kriminale në veri është në rënie, tha ai.
Ndërsa sa i përket problemeve dhe reagimeve pas vendimit për rotacionin e komandantëve të stacioneve të policisë në veri, Buhler, tha se KFOR-i mbështet vendimin e marrë nga drejtoria e policisë.
Ai tha se në çdo vend të Evropës për ndërrimin e pozitave në polici vendose drejtori i policisë.
Në anën tjetër, ata janë dakorduar që të organizojnë një vizitë të përbashkët në vendin ku ka qenë Xhamia e Ibrit, skaj urës kryesore në veri të qytetit, në mënyrë që aty sa më parë të nis rindërtimi i saj.
U tha se në atë vizitë do të ftohen edhe drejtuesit e Bashkësisë Islame dhe ata të UNMIK-ut.