Kodheli: Gjuha e rrugës nuk është zgjidhje
Prishtinë, 1 dhjetor - Sot, Ministri i Ministrisë për Forcën e
Sigurisë së Kosovës (MFSK), zotëri Haki Demolli priti në vizitë
zyrtare, në Ministri, Ministren e Mbrojtjes të Republikës së
Shqipërisë, znj. Mimi Kodheli me bashkëpunëtorë. Ministrja e Mbrojtjes
së Shqipërisë znj. Kodheli u prit me nderime të larta nga Togu i Nderit
dhe Orkestra Frymore e FSK-së.
Takimi i parë i Ministri Demolli
dhe Ministres Kodheli u zhvillua kokë më kokë, për të vazhduar më pastaj
takimin e përbashkët në nivelin e zgjeruar të dy delegacioneve.
Ministri
i FSK-së, Haki Demolli pasi i dëshiroi mirëseardhje Ministres Kodheli, e
ka njoftuar atë, për të arriturat e përgjithshme të FSK-së, shkollimin,
trajnimet, ngritjen dhe profesionalizimin si dhe për intensifikimin e
bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive në të ardhmen, bashkëpunim ky i
cili duhet të vazhdohet dhe begatohet edhe më tutje.
Gjatë
takimit, Ministri Demolli konstatoi se janë realizuar një numër i madh
aktivitetesh të parapara për këtë vit, sipas planit të veprimit i cili
është rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Ministrisë së
Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë për Forcën e
Sigurisë së Kosovës, si dhe ngriti çështjen e vazhdimit të punës së
grupeve punuese për të konkretizuar me një plan veprimi të aktiviteteve
për vitet në vazhdim.
Gjithashtu, në bisedë me ministren
Kodheli, tha ministri i FSK-së u diskutua edhe për aspektet e sigurisë
në të dy vendet, pra edhe në Shqipëri edhe në Kosovë por edhe në regjion
si dhe më gjerë, pas akteve dhe kërcënimeve të fundit terroriste. Në
takimi e dyja delegacioneve u bisedua për procesin e transformimit të
FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës por, edhe për situatën politike
në Kosovë dhe Shqipëri.
Në takimin e përbashkët në mes të dy
ministrave dhe dyja delegacioneve u bisedua edhe për përkrahjen që
Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria për FSK ka kërkuar nga Qeveria
e Republikës së Shqipërisë që mund ti bëhet Kosovës për anëtarësim në
iniciativa regjionale, por edhe për përkrahjen e kërkesës që Qeveria e
Kosovë i ka paraqitur NATO-s për dialog politik ndërmjet NATO-s dhe
Republikës së Kosovës.
Ministri Haki Demolli gjithashtu, i ka
kërkuar ministres Kodheli që në vitin 2016, Kontingjenti i FSK-së të
jetë pjesë e Kontingjentit të Forcave të Armatosura të Republikës së
Shqipërisë me rastin e pjesëmarrjes në ushtrimin ushtarak ,,Anakonda
që do të mbahet në Poloni.
Gjithashtu, Ministri Demolli e ka
falënderuar Ministren e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, zonjën
Mimi Kodheli për mbështetjen delegacionit të MFSK-së që të jetë i
barabartë dhe të trajtohet me dinjitet në të gjitha takimet, konferencat
si dhe aktivitetet jashtë vendit.
Ndërsa, ministrja e Mbrojtjes
së Shqipërisë, znj. Kodheli falënderoi ministrin Haki Demolli për
pritjen dhe shtoi se ndjehet mirë si këtu edhe përkundër që kjo vizitë
po realizohet në një kohë sfidash të përgjithshme.
Ministrja
Kodheli e informoj ministrin Demolli për zhvillimet e fundit në Ministri
të Mbrojtjes dhe në Forca të Armatosura, si dhe biseduam për zhvillimet
politike si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, me të njëjtin mendim se
të gjitha palët duhet të orientohen drejt dialogut politik dhe
zgjidhjeve politike.
E vetmja rrugë, deklaroi Ministrja Kodheli,
për të gjetur zgjidhje është tavolina e bisedimeve dhe angazhimi në
Kuvend. Gjuha e rrugës, siç tha Ministrja e Mbrojtjes nuk do të mund të
zgjidhë asnjëherë çështjet e hapura përkundrazi, dhuna favorizon gjithë
qëndrimet kundër të ardhmes demokratike dhe perëndimore.
Terrorizmi
tha zonja Kodheli është bërë një kërcënim global pas ngjarjeve tragjike
të Parisit, Ankarasë, situata tejet e renduar në Belgjikë, alarmet
Britani dhe Itali kanë cenuar shumë ndjenjën e sigurisë të qytetarëve
të këtyre vendeve.
Kosova ka sfidë integrimin në Bashkimin
Evropian dhe në strukturat Euro Atlantike por unë jam gjithashtu e
bindur se Ministria për FSK është duke bërë atë më të mirën dhe më të
duhurën për qytetarët e Kosovës. Kosova ka sfida të mëdha përpara dhe
sfidat e Kosovës janë në sytë e të gjithë neve, dhe ne jemi duke punuar
bashkërisht.
Në fund, ministrja Kodheli shtoi se me ministrin
Demolli ndamë mendimin e njëjtë, për nivelin e bashkëpunimit që kemi
midis FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Ne të dy
palët do të gjemë rrugët dhe mënyrat e bashkëpunimit akoma më të lartë.
Ne jemi këtu për ta mbështetur këtë proces në mënyrë që me ndihmën e
aleatëve tanë strategjikë dhe të SHBA-s, Shqipëria do të vazhdojë ta
mbështesë Kosovën dhe FSK-në, drejt integrimit në NATO dhe Bashkim
Evropian, shtoi në fund ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë znj.
Kodheli.
Në takim morën pjesë edhe zëvendës ministri Muhamet
Latifi, gjeneral brigade Zymer Halimi drejtor i Drejtorisë për
Operacione, kolonel Fadil Hadërgjonaj këshilltar ushtarak i ministrit
Demolli, Luljeta Sokoli këshilltare e ministrit, nënkolonel Enver
Dugolli atashe ushtarak, ndërsa nga pala shqiptare: Ambasadori i
Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, Arian Kraja Sekretar i Përgjithshëm
i Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë, Gjeneral brigade Nazmi Cahani
komandant i Forcës Tokësore, Igli Hasani drejtor i Drejtorisë së
Përgjithshme të Planifikimit Strategjik të Mbrojtjes etj.
Pas takimit të përbashkët në nivel të dy delegacioneve, të dy ministrat mbajtën një konferencë të përbashkët me gazetarë.
Ministri
Demolli së bashku me ministren Kodhelli vizituan edhe Qendrën për
Studime Universitare të FSK-së, ku u pritën nga gjeneral brigade Gëzim
Hazrolli, zëvendëskomandant i Forcave Tokësore dhe major Avni Kiqina,
Komandanti i Qendrës për studime Universitare të FSK-së.