Koalicioni i OJQve për mbrojtjen e fëmijëve dënon vrasjen e 14 vjeçarit
Duke u nisur nga ky rast tragjik i vrasjes së një fëmije dhe plagosjen e një nxënësi pranë ambienteve shkollore;
Duke u nisur nga fakti që siguria në shkolla dhe pranë ambienteve të shkollave nuk është në nivelin e duhur;
Duke pasur parasysh që ky krim dyshohet se buron nga fenomeni hakmarrje dhe viktimë direkte është një fëmijë;
Duke pasur parasysh që viktimë e këtij krimi ka qenëedhe një nxënës i shkollës Emin Duraku, por pa lënë prapa traumatizmin dhe pasigurinë e nxënësve të tjerë dhe qytetarëve të kryeqytetit;
Duke qenë se nuk është hera e parë që shoqëria jonë përballet me ngjarje të tilla tragjike;
KOMF bën thirrje të gjitha instancave përgjegjëse dhe veçanërisht Ministrisë së Punëve të Brendshme që të rrisë menjëherë dhe në mënyrë të padiskutueshme nivelin e sigurisë si në ambientet e shkollave dhe përreth po ashtu edhe në përgjithësi, në mënyrë që ngjarje të tilla me pasoja fatale ku viktima të drejtpërdrejta janë fëmijët të mos përsëriten.
Ky reagim shprehet në emër të pesëmbëdhjetë organizatave joqeveritare për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë, që janë anëtare të Koalicionit që nga qershori 2011, kur është themeluar KOMF. Organizatat anëtare të KOMF janë: Associazione Amici dei Bambini, Asociacioni për Trajnime Sociale, Hulumtime dhe Avokim ASTRA, Iniciativa 6, Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me qenie njerëzore MVPT, One to One Childrens Fund, One To One Kosova - Qendra e Këshillimit për Familje, Organizata Rinore Akti, Save the Children, Shpresa dhe Shtëpi për Fëmijët Kosovë, Terre des homes, World Vision, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, OPFAKKOS, Programi për të Drejtat Civile dhe Qendra për Arsim e Kosovës - KEC.