KMDLNj viziton të ndaluarit për aferën e vizave
Prishtinë, 6 shkurt - Monitorues të KMDLNj-së vizituan të ndaluarit për aferën e vizave të cilët u arrestuan nga Policia e EULEX-it dhe Policia e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të dites se djeshme.
Të arrestuarit i deklaruan KMDLNj-së se arrestimi i tyre është bërë duke respektuar ligjin dhe se gjatë arrestimit ndaj tyre nuk është përdorur forca fizike, nuk janë fyer dhe se është respektuar dinjiteti i tyre.
Atyre u është treguar dhe dorëzuar vendimi për ndalim, u është treguar se mund të angazhojnë avokat dhe se deklaratat janë dhënë në praninë e avokatëve mbrojtës. Gjithashtu gjërat e konfiskuara nga policia janë regjistruar në procesverbal dhe janë nënshkruar nga të arrestuarit.
Gjatë marrjes në pyetje kanë shfrytëzuar edhe ndihmën e përkthyesve ndërsa të gjithë të arrestuarve Policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës u kanë mundësuar të kërkojnë ndihmën e mjekëve.
Edhe në Qendrën e Ndalimit ku mund të qëndrojnë 48 orë, të ndaluarit kanë deklaruar se sjellja e oficerëve është shumë korrekte dhe se nuk kanë asnjë vërejtje.
Edhe këtu janë vizituar nga avokatët mbrojtës.
Personat e ndaluar janë deklaruar se gjatë arrestimit dhe bastisjes nuk janë keqtrajtuar apo shqetësuar në asnjë formë anëtarët e familjeve të tyre.
KMDLNj vlerëson se ndaj të ndaluarve është vepruar në përputhje me të drejtat e personave të privuar nga liria.