KMDLNJ viziton Sabit Gecin në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë
Prishtinë, 7 maj - Monitorues të KMDLNj-së vizituan sot Qendrën e Ndalimit në Prishtinë. Ata fillimisht vizituan Sabit Gecin të arrestuar dje nga pjesëtarë të Policisë së EULEX-it dhe në përkrahje të njësisë speciale të Policisë së Kosovës.
Sipas Gecit arrestimi i tij është bërë në një restorant afër shtëpisë së tij derisa po hante mëngjes. Ai ishte arrestuar nga policë të EULEX-it dhe më pas i është bastisur shtëpia, në praninë e tij.
Gjatë arrestimit, policia nuk i ka treguar shkakun pse arrestohet dhe ndonjë vendim të shkruar. Por, për bastisje i kanë treguar vendimin e gjykatës.
Sipas deklaratës që i ka dhënë KMDLNj-së i ndaluari Sabit Geci nuk ka vërejtje as në sjelljet e zyrtarëve dhe oficerëve në Qendrën për Ndalim në Prishtinë.
Pritet që Sabit Geci të dalë sot para gjykatës së EULEX-it e cila do të vendos nëse do ti vazhdohet paraburgimi apo do të merret ndonjë vendim tjetër.
Ai është i ndaluar dhe i dyshuar nga EULEX-i për krime lufte në Kosovë në vitin 1999.