KMDLNj: Të respektohet liria e shprehjes dhe drejtësi të barabartë për të gjithë !
Prishtinë, 7 shtator - Pas denoncimeve në polici të Besnik Mustafës dhe ministrit Adnan Abrashi kundër Alban Morinës për kërcënime me jetë ndaj tyre , policia, prokuroria dhe gjyqësia kosovare veproi me një shpejtësi të pabesueshme për rrethanat në Kosovë duke e arrestuar kërcënuesin virtual dhe duke e dënuar me tre muaj burg si dhe duke e dërguar në vuajtje të menjëhershme të dënimit.
KMDLNj është i habitur me këtë efikasitet të organeve të ndjekjes dhe gjyqësorit sikur që habitet pse nuk ishin ndërmarrë veprime të ngjajshme edhe kur ishin kërcënuar me jetë gazetarët: Vehbi Kajtazi, Milaim Zeka, Berat Buzhala, Arbana Xharra, Halil Matoshi, Milot Hasimja, Idriz Morina, Haraçia i Zërit dhe shumë gazetarë të tjerë e që ndikoi që Kosova në të gjitha raportet ndërkombëtare për lirinë e shtypit të radhitet në pozitat e larta ku gazetarët kërcënohen në kryerjen e punës së tyre. Arrestimi dhe dënimi i Alban Morinës tregon se kur ka vullnet dhe gatishmëri (fatkeqësisht politike në rastin konkret), atëherë policia dhe gjyqësori janë shumë efikas dhe në të kundërtën (në mungesë të tyre) policia dhe gjyqësori nuk veprojë. Rastet e përmendura tregojnë për zbatimin e standardit të dyfishtë në zbatimin e ligjit sikur edhe trajtimin e pabarabartë të palëve para gjykatave.
Trajtimi i barabartë para drejtësisë, gjykimi fer dhe i pandikuar politikisht është njëra ndër të drejtat elementare të njeriut që garantohet me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut e KB, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe me Kushtetutën e Kosovës.
Prandaj, KMDLNj duke konsideruar se ka shkelje të drejtave të njeriut në këtë rast kërkon zbatimin e këtyre të drejtave që janë pjesë e Kushtetutës së Kosovës për një trajtim jodiskriminues, gjykim fer dhe pavarësi të gjyqësorit nga ndikimet politike. Ligji duhet të vlejë për të gjithë, si për kërcënuesin e Besnik Mustafës dhe ministrit Abrashi ashtu edhe për kërcënuesit e gazetarëve që disa prej tyre u përmendën më lartë, të cilët, përveç kërcënimit verbal janë sulmuar edhe fizikisht sikur që edhe janë lënduar.
Një dukuri tjetër të cilën KMDLNj e cilëson si shkelje flagrante e të drejtave të njeriut përkatësisht shkeljes së të drejtës së lirisë së fjalës dhe të shprehjes është arrestimi i shpeshtë që po bëhet kohëve të fundit ndaj aktivistëve të Lëvizjës Vetëvendosje! për shkruarje të parullave apo se në bagazhet e tyre janë gjetur parulla të shkruara! Ky veprim policor është një non sens që u përket vetëm regjimeve autoritare dhe diktatoriale që nuk kanë të bëjnë asgjë me demokracinë.
Shkruarja e parullave (e të cilat nuk bartin urrejtje etnike, racore etj. dhe që nuk thërrasin apo nuk shoqërohen me veprime të dhunshme) janë pjesë e korpusit të lirisë së shprehjes e që garantohen me të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare për të drejtat e njeriut të cilat edhe autoritetet kosovare duhet ti respektojnë! KMDLNj , nuk i përkrahë veprimet e dhunshme por është fuqishëm në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe lirisë së shprehjes që në rastin e arrestimit të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje! po shkilet andaj fton autoritetet ti ndërpresin këto veprime që janë kufizuese për lirinë e fjalës dhe të shprehjes.
E drejta për protestë paqësore ku bëjnë pjesë edhe parullat (të shkruara apo ato që brohoriten) janë të drejta elementare të njeriut sikur që janë një veprim demokratik i opozitës deri në çastin kur nuk bëhen të dhunshme. Masat represive kundër lirisë së fjalës dhe të shprehjes pashmangshëm përfundojnë në kundërpërgjigje të dhunshme që në këto çaste nuk i duhen Kosovës. Për një demokraci të brishtë sikur ajo që është në Kosovë e që nuk është funksionale sepse po identifikohet me shkelje të drejtave të njeriut, protestat dhe parullat nuk paraqesin rrezik por zbatimi i standardeve të dyfishta e dhunojnë demokracinë.