KMDLNJ: Të dënohet dhuna ndaj egjiptasëve në Pejë!
Prishtinë, 12 gusht - Ditë më parë disa individë në Pejë, duke i vënë flakën materialit ndërtimor po bëjnë përpjekje të pamundësojnë kthimin e egjiptasëve në pronat e tyre dhe në këtë mënyrë po e shkelin njërën ndër të drejtat elementare të njeriut siç është kthimi i papenguar, i pakushtëzuar dhe i qëndrueshëm i të gjithë personave që për shkaqe të ndryshe kanë qenë të detyruar ti braktisin ato.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut vlereson se e drejta për kthim në pronën e tyre dhe rindërtimi i shtëpive të shkatërruara nuk mund të kushtëzohet me asgjë dhe nga askush prandaj KMDLNj, në këtë kontekst e dënon ashpër veprimin e fundit në Pejë ku po bëhen përpjekje që egjiptasit të pengohen të kthehen në pronën e tyre duke ua mohuar të drejtat elementare të njeriut.
\"E drejta e posedimit dhe e shfrytëzimit të pronës private është e drejtë e patjetërsueshme dhe ajo nuk mund të kushtëzohet me përkatësi etnike, fetare, racore, moshore, statusit social apo ndonjë arsye tjetër andaj si e tillë duhet të respektohet nga të gjithë\", thekson KMDLNJ.
Egjiptasit, si komunitet i margjinalizuar në Kosovë duhet ti gëzojnë të gjitha të drejtat e parapara me ligj dhe duhet të mbrohen me ligj.
Ndaj të gjithë atyre që e pengojnë kthimin e të zhvendosurve dhe refugjatëve në pronat e tyre, pavarësisht përkatësisë etnike duhet të ndërmerren masa ligjore prandaj KMDLNj përkrahë veprimet e shpejta të organeve të rendit për rastin konkret dhe inkurajon pjesëtarët e komunitetit egjiptas të jenë të vendosur në realizimin e të drejtave të tyre të ligjshme dhe të drejtave të njeriut; kthimin dhe rindërtimin e shtëpive në pronat e tyre apo në lokacionet ku u lejohet ndërtimi.