17 Maj 2024

KMDLNJ: Sjellje korrekte e policisë ndaj serbit te arrestuar

Prishtinë, 29 dhjetor - Më datën 28 dhjetor 2014 monitorues të KMDLNj-së vizituan të arrestuarin S.G. 46 vjeçar, shtetas i Serbisë i cili ishte arrestuar më 25 dhjetor 2014 afërsisht në ora 21:00 në Prishtinë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka njoftuar se i arrestuari S.G. ka deklaruar se gjatë arrestimit sjellja e Policisë së Kosovës ka qenë korrekte dhe profesionale sikur edhe gjatë marrjes në pyetje në stacionin e Policisë.

\"Atij i është caktuar një avokat zyrtar mbrojtjen e të cilit e ka pranuar për momentin ndërkaq tash kërkon avokat tjetër. Edhe gjatë qëndrimit në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë sjellja ka qenë korrekte dhe aty, me kërkesën e tij i është vazhduar ofrimi i terapisë që e ka përdorur para se të arrestohej\", thekson KMDLNJ.

I arrestuari S.G. deklaron gjithashtu se edhe pas caktimit të masës së paraburgimit nuk ka vërejtje në trajtim ndaj tij. I arrestuari deklaron se edhe prokurori i rastit dhe gjykatësi i procedurës kanë vepruar në përputhje me ligjin e procedurës.

\"Gjatë tërë kohës së komunikimit me zyrtarët policorë dhe në gjykatë, i arrestuari ka komunikuar në gjuhën serbe ndërkaq që është lajmëruar edhe familja e tij përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë si dhe ka qenë i njoftuar për të drejtat që i takojnë pas arrestimit në bazë të të cilave edhe do të mbrohet\", thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së.

I arrestuari S.G. deklaron se është i shqetësuar për kampanjën mediale ndaj tij e që do të mund të reflektohet në trajtimin gjatë qëndrimit në paraburgim ose në procesin gjyqësor.

KMDLNj e siguron të arrestuarin S.G. se do të vazhdojë të monitorojë trajtimin e tij gjatë qëndrimit nën arrest dhe respektimin e të drejtave të njeriut për personat e privuar nga liria në përputhje me ligjet në fuqi.

Pas vizitës monitoruese dhe bisedës me të arrestuarin S.G., KMDLNj konstaton se nuk ka pasur shkelje të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria dhe se trajtimi i të arrestuarit deri më tani ka qenë korrekt.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)