KMDLNJ reagon ndaj deklaratave të EULEX-it
Prishtinë, 20 prill - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë shprehu shqetësim për deklarimet e zyrtarëve të EULEX në lidhje me funksionimin e institucioneve të drejtësisë.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë shprehu shqetësim për deklarimet e zyrtarëve të EULEX në lidhje me funksionimin e institucioneve të drejtësisë, në pjesën veriore të Kosovës e cila administrohet nga strukturat paralele serbe dhe vet Serbia.
Sipas KMDLNJ-së, deklarimet e fundit të shefit të EULEX-it dhe të zëdhënësit të këtij misioni në lidhje me funksionimin e gjykatës në veri shtojnë edhe më shumë paqartësinë rreth përgjegjësive dhe kompetencave të këtij Misioni.
Këto deklarime, sipas KMDLNj janë shprehje e veprimeve sipas standardeve të dyfishta që zbaton misioni i sundimit të ligjit EULEX.
Sipas këtij Këshilli zbatimi i ligjit është ngushtë i lidhur me funksionimin unik të institucioneve të drejtësisë. Nëse EULEX ka kompetenca ekzekutive në këtë fushë atëherë ato duhet të vlejnë për tërë territorin e Kosovës. Në të kundërtën EULEX është duke humbur legjitimitetin ekzekutiv në këtë fushë, potencohet në reagim.
KMDLNJ më tej thekon se EULEX-i në bazë të veprimeve, për çdo ditë është duke dhënë sinjale mbi standardet e dyfishta që po i zbaton në Kosovë.