KMDLNj: Raporti për burgjet e lufton opinionin negative
Prishtinë, 27 qershor - Në një reagim Ministria e Drejtësisë (MD) përkatësisht Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) thotë se është shqetësuar: me prononcimet e përgjithësuara për dhjetë institucionet e SHKK së duke pasur parasysh që vizitat janë bërë në dy qendra korrektuese me tri pavijone.
Pastaj deklarojnë se prononcimet e tilla i shkaktojnë dëm këtyre institucioneve që krijon opinion negativ si te të burgosurit, ashtu edhe te qytetarët e Republikës së Kosovës duke vazhduar me një kërcënim të hapur se qenka shkelur Memorandumi i Bashkëpunimit mes SHKK së dhe OJQ- ve (KMDLNj dhe QKRMT) nga vet përfaqësuesit e tyre (OJQ ve ) prandaj SHKK do të shqyrtojë veprimet e ndërmarra dhe ato të mëtutjeshme (mbase pezullimi i këtij Memorandumi Bashkëpunimi).
Institucioni i Avokatit të Popullit nuk përfshihet në këtë kërcënim sepse ai ka mandat kushtetues për monitorim ndërsa OJQ të duhet ta nënshkruajnë.
KMDLNj si OJQ nënshkruese e këtij Memorandumi dhe njëkohësisht si anëtar i Grupit Punues për formimin e Mekanizmit Kombëtarë për Parandalimin e Torturës sqaron opinionin se këto raporte janë rezultat i punës së përbashkët monitoruese dhe se janë monitoruar të gjitha pavijonet në qendrat Korrektuese në Dubravë, Lypjan dhe qendra e Paraburgimit në Lypjan.
Ka qenë vizitë monitoruese për të siguruar nëse janë përmbushur rekomandimet e këtij Grupi Punues nga vizitat e vitit 2013. Për fat të keq situata vetëm sa është përkeqësuar krahasuar me vitin paraprak.
Problemet e identifikuara nga Grupi Punues janë krejtësisht të sakta dhe çdo përpjekje për tu dhënë kuptim tjetër është ikje nga përgjegjësia e SHKK- së.
Për KMDLNj në është shumë shqetësues se SHKK kërcënon haptas për ndërmarrjen e masave të mëtutjeshme ndaj OJQ ve në vend se të merret me përmbushjen e rekomandimeve që kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të personave të privuar nga liria dhe lehtësimin e punës përmes ngritjes së cilësisë së punës për vet punëtorët e SHKK në përgjithësi dhe stafit korrektues në veçanti.
KMDLNj nuk dëshiron të ketë qëndrim konfrontues ndaj SHKK por bashkëpunim konstruktiv. KMDLNj shpreson se SHKK do të fillojë ti përmbush rekomandimet e Grupit Punues ndryshe do të bëhet përgjegjës për shkelje të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria si dhe shkelje të drejtave të njeriut të stafit korrektues.
Grupi Punues rekomandon që urgjentisht të mbyllet deri në renovim të tërësishëm Pavijoni nr.5 në Burgun e Dubravës ku të dënuarit mbahen në kushte të rënda dhe degraduese si edhe vet oficerët korrektues.
Pastaj, në kuadër të mundësive të fillojnë përmbushjen e rekomandimeve tjera. KMDLNj, si anëtar i Grupit Punues për formimin e Mekanizmit Kombëtarë për Parandalimin e Torturës shpreson se bashkëpunimi me SHKK në është i domosdoshëm edhe në të ardhmen. Vetëm në këtë mënyrë sigurohet transparenca dhe llogaridhënia.