KMDLNJ: Policia nuk e ka provokuar dhunën gjatë protestave
Prishtinë, 13 maj - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka vlerësuar se gjatë protestave të Lëvizjes Vetëvendosje, policia e Kosovës nuk ka qenë palë që e ka provokuar dhunën dhe është treguar e përmbajtur.
Në një komunikatë për opinion, KMDLNJ gjithashtu vlerëson se policia e Kosovës, njëkohësisht, nuk ka qenë e përgatitur për ta kontrolluar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e saj.
KMDLNj përkujton se e drejta për të protestuar është e drejtë e ligjshme dhe demokratike. Mirëpo, një protestë ku rrezikohet jeta e njerëzve dhe prona e qytetarëve është e papranueshme sepse i tejkalon caqet e një proteste paqësore, thuhet në komunikatë.
Protesta është organizuar në shenjë kundërshtimi me vizitën e kryenegociatorit të Serbisë, Borko Stefanoviq, në Kosovë, për të cilën kishin dhënë leje institucionet vendore.
Në adresë të institucioneve vendore, KMDLNj ka shtruar kërkesën që procesi i dialogut me Serbinë të jetë më transparent, sidomos nga ata të cilët janë pjesë e këtij dialogu.