17 Janar 2025

KMDLNj: Në Kosovë mungon një adresë e përgjegjësisë

Prishtinë, 30 nëntor - Zëvendësdrejtoresha e “Amnesty International” për Europë dhe Azi Qendrore, Gauri van Gulik e shoqëruar nga hulumtuesi për Ballkan Todor Garos u takuan të martën me përfaqësues të KMDLNj - së, Behxhet Shala Drejtor Ekzekutiv dhe me Valentina Demolli, udhëheqëse e programeve.

Përfaqësues të “Amnesty International” u interesuan për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë me theks të veçantë për të drejtat e grupeve të margjinalizuara, kontributin e EULEX – it në fushën e së drejtës dhe sundimit të ligjit, për krimet e luftës, të drejtat e pakicave dhe për gjendjen dhe trajtimin e të burgosurve në Kosovë.

KMDLNj e informoi zëvendësdrejtoreshën e “Amnesty International” për të drejtat e njeriut në Kosovë duke e vënë në pah se ato ndërlidhen dhe kushtëzohen me kontekstin ekonomik, social dhe politik.

KMDLNj theksoi pozitën e rëndë të pensionistëve, personave të zhvendosur që nuk u lejohet kthimi në pronat e tyre, gjykimi selektiv i rasteve për krime lufte, pozitën e rëndë të fëmijëve që punojnë punë të rënda fizike, mospërmbushjen e detyrimeve ndaj personave me aftësi të kufizuara, kushtëzimin e integrimit të pakicës serbe me kërkesa politike ndërsa pozitën e romëve e vlerësoi si të rëndë në aspektin ekonomik sikur që e pohoi se ndaj romëve nuk ka qëndrim racist në Kosovë.

U fol për lirinë e fjalës dhe të medieve. Gjithashtu u fol për kufizimin e lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës shkaku se vetëm Kosova është e përjashtuar nga zona shengen.

KMDLNj, e informoi “Amnesty International” për gjendjen e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria në stacionet policore, qendrat e paraburgimit dhe qendrat korrektuese ku Kosova qëndron më mirë se disa shtete të rajonit.

Në këtë kontekst KMDLNj e theksoi problemin e zgjatjes së paraburgimit dhe stërzgjatja e vendimeve gjyqësore. Angazhimin e EULEX - it në fushën e sundimit të ligjit KMDLNj e vlerësoi si përshtatje të këtij misioni me politikanët e vendit me të cilët jetojnë në një bashkëjetesë harmonike prandaj edhe kemi shumë probleme.

KMDLNj e vlerësoi se në Kosovë mungon një adresë e përgjegjësisë ku do të drejtoheshin qytetarët dhe në vend të saj kemi katër adresa: UNMIK, EULEX, Serbia për pjesën veriore të Kosovës dhe dhe lokacionet ku jetojnë shumica serbe e që kontrollohet nga Serbia, dhe institucionet e Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)