KMDLNJ: Luftojeni krimin me zbatim të ligjit e jo me retorikë
Prishtinë, 19 shtator - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë e dënon ashpër sulmin e armatosur afër fshatit Ballaban të komunës së Zveçanit me çrast ka vdekur në spitalin në Veri të Mitrovicës polici i EULEX-it nga Lituania me iniciale A.S.
Nuk është ky sulmi i parë që ka ndodhur në Veri por është sulm që ka përfunduar me fatalitet.
KMDLNj edhe më herët ka bërë me dije se krimi i organizuar është kundër stabilizimit të gjendjes dhe nuk ka asnjë dyshim se edhe ky polic është vrarë nga krimi i organizuar, thuhet në njoftim.
Sipas KMDLNj duket se cak i sulmit kanë qenë zyrtarët doganor në përpjekje për ti penguar të kryejnë punën e tyre.
KMDLNj kërkon hetime të shpejta dhe arrestimin si dhe vënien para drejtësisë të atyre që e kanë kryer krimin, që e kanë urdhëruar atë por edhe atyre që nuk kanë marrë masa parandaluese.
Sulmi ndaj zyrtarëve policorë dhe doganorë është sulm ndaj institucioneve të Kosovës dhe si i tillë duhet të trajtohet. Qartësisht ky është një akt terrorist i krimit të organizuar multietnik për përfitime materiale me biznese të pista, kontrabandim të mallrave, narkotikëve si dhe trafikim me qenie njerëzore, thuhet në njoftim.
Mosfunksionimi i shtetit të Kosovës, tolerimi i kriminelëve të gjitha profileve nga ndërkombëtarët ka shërbyer si infuzion për forcimin e aktiviteteve kriminale.
KMDLNj kërkon nga autoritetet ndërkombëtare dhe vendore që me vendosshmëri të përballen me krimin e organizuar në Veri të Kosovës por edhe në pjesët e tjera të Kosovës. Përfundimisht Kosova është e vërshuar nga krimi dhe kriminelët dhe mosndëshkueshmëria e tyre vetëm sa do ta forcojë këtë.