KMDLNJ: Kushte të rënda në Qendrën e Ndalimit!
Prishtinë, 22 korrik - Monitorues të KMDLNj-së në Prishtinë e vizituan S.M kryetar i Gjykatës së Apelit të cilit i është caktuar masa e ndalimit 48 orë për tu informuar për trajtimin e tij gjatë arrestimit dhe mbajtjes në Qendrën e Ndalimit.
I ndaluari S.M i ka deklaruar KMDLNj-së se gjatë arrestimit dhe mbajtjes ndaj tij është vepruar në përputhje me ligjin, se është njoftuar me të drejtat që i takojnë dhe se ka nënshkruar formularin për gjërat e konfiskuara në zyrën e tij ndërsa nuk ka njohuri se çka i është konfiskuar gjatë bastisjes së shtëpisë së tij.
Ai ka potencuar se në Qendrën e Ndalimit nuk ka kushte të mjaftueshme për mirëmbajtjen e higjienës.
KMDLNj e rithekson faktin se në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë nuk ka kushte për mbajtje të personave të ndaluar sikur që edhe nuk ka kushte as për punën e oficerëve dhe stafit që përkujdeset për persona të arrestuar.
Madje, KMDLNj vlerëson se oficerët dhe stafi i kanë kushtet shumë të rënda për punë dhe se shëndeti i tyre rrezikohet seriozisht për shkak të mungesës së ajrosjes, ndriçimit natyror dhe kushteve higjienike prandaj kërkon nga Ministria për Punë të Brendshme që sa më parë që të jetë e mundur të zhvendoset në një lokacion i cili do ti plotësonte kushtet (qoftë edhe minimale për personat e ndaluar, oficerët dhe stafin tjetër).
KMDLNj pas vizitës monitoruese vlerëson se ndaj të ndaluarit S.M nuk ka pasur shkelje të të drejtave të personave të privuar nga liria.