KMDLNJ: Kur shteti terrorist të dënon për terrorizëm
Prishtinë, 19 shkurt - Një gjykatë e Serbisë në Nish, kohë më parë i dënoi tetë (8) eprorë të UÇK së në mesin e të cilëve janë dy deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe një kryetar komune për vepër penale të terrorizmit.
Cilësimi i veprës penale për terrorizëm është bërë sepse Serbia nuk e ka pranuar kurrë UÇK në si palë luftuese dhe se të gjithë ushtarët e UÇK-së i ka cilësuar dhe trajtuar si terroristë.
Akuza dhe arsyetimi i vendimit gjyqësor se këta eprorë të UÇK së dënohen për akte terroriste kundër formacioneve të rregullta ushtarake dhe policore të Serbisë është bërë me qëllim të denigrimit dhe mohimit të luftës së drejtë, mbrojtëse dhe kombëtare të UÇK së ndërsa sulmi dhe asgjësimi i këtyre forcave serbe ( ushtarake, policore dhe paramilitare) në kushte të konfliktit të armatosur konsiderohet si akt legal dhe i lejueshëm. Përjashtim këtu bëjnë rastet kur shkilen zakonet e luftës dhe e Drejta Humanitare Ndërkombëtare e që në rastin konkret nuk ka ndodhur.
Në këtë vendim të Gjykatës serbe në Nish po bëhet presion në Gjykatën Speciale të mirret me këtë dhe raste tjera dhe është në shërbim të propagandës agresive të Serbisë kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Gjithashtu, pas këtij dënimi kur të bëhet i plotfuqishëm, të tetë (8) eprorëve të UÇK së Serbia do të kërkojë nga Interpoli që këta të dënuar të arrestohen dhe të ekstradohen në Serbi në vuajtje të dënimit dhe padyshim Interpoli do të bëjë këtë sikur që ka arrestuar më parë kryeministra dhe ministra të Kosovës, ish udhëheqës të UÇK së e që pastaj, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve janë liruar. Këta tetë (8) eprorë të UÇK së, tani e tutje nuk do të mund të lëvizin jashtë Kosovës ndërsa ekziston rreziku që edhe të arrestohen edhe nga misioni ndërkombëtar në Kosovë në zbatim të një fletëarresti ndërkombëtar.
Është krejtësisht jo serioz qëndrimi i Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë kur deklarojnë se do të bisedojnë me ndërkombëtarët për këto gjykime aq më parë që nuk kanë bërë asgjë që ti arrestojnë dhe nxjerrin para drejtësisë përgjegjësit për krime lufte në Kosovë që janë strehuar në Serbi, Veri të Kosovës dhe në enklava serbe. Qeveritë e Kosovës është dashur të kërkojnë ekstradimin e të dyshuarve për krime lufte ( 21 të dyshuar serbë dhe 1 rom) e të cilët kanë ikur nga burgu në Mitrovicën e Veriut e që e vërteta është se ata janë liruar nga UNMIK u .
Procese të ngjajshme me këtë të Nishit, kur një gjykatë e një shteti terrorist siç është Serbia do të ketë edhe në të ardhmen. Angazhimi i Serbisë do të intensifikohet me fillimin e punës së një gjykate që do të dënojë në baza etnike dhe raciste si do të jetë Gjykata Speciale dhe në këtë rrafsh vendimet e Gjykatës së Nishit do të shërbejnë edhe si material dokumentues për gjykatën raciste Speciale e cila qartazi do ti diskriminojë viktimat sikur që edhe do ti favorizojë, shpërblejë dhe falë kriminelët dhe strukturat kriminale politike , me mosndëshkueshmërinë e tyre.
KMDLNj është në anën e tetë (8) eprorëev të dënuar të UÇK së dhe konsiderohet se janë dënuar nga një shtet dhe gjykatë terroriste për një luftë të imponuar dhe të drejtë që e kanë bërë pikërisht kundër këtij shteti terrorist dhe stukturave kriminale siç janë forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe.