KMDLNj kërkon nga deputetët të zgjedhin Avokatin e Popullit
Prishtinë, 12 mars - Më datën 13 mars 2014 është paraparë që njëra ndër pikat e rendit të ditës në seancën e rregullt të Kuvendit të Kosovës të jetë edhe votimi për zgjedhje të Avokatit të Popullit.
Duke marrë parasysh se zgjedhja e Avokatit të Popullit më parë ka qenë një proces i mundimshëm dhe i stërzgjatur, KMDLNj kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të marrin pjesë në numër të nevojshëm dhe të votojnë në mënyrë që Avokati i Popullit të zgjidhet në afatet e parapara me ligj dhe të mos përsëritet stërzgjatja e procesit.
Prania e deputetëve dhe votimi i tyre në bazë të ndërgjegjes së tyre apo të një marrëveshjeje eventuale politike do të kontribuojë në stabilizimin dhe forcimin e këtij institucioni të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
KMDLNj, si monitorues i procesit të përzgjedhjes së kandidatëve që do të votohen për Avokat të Popullit vlerëson se në mesin e të përzgjedhurve ka kandidatë që i plotësojnë të gjitha kushtet për Avokat të Popullit dhe nuk sheh arsye që të mos votohet njëri nga kandidatët e propozuar.
KMDLNj e vlerëson shumë pozitivisht punën e Panelit Intervistues i cili i ka respektuar procedurat e parapara me ligj.
KMDLNj është i vetëdijshëm se zgjedhje e Avokatit të Popullit, në mënyrën si është përcaktuar tani nuk mund të bëhet pa konsensus politik të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës prandaj thërret partitë politike që të mos pengojnë zgjedhjen e Avokatit të Popullit aq më parë që kandidatët e përzgjedhur nuk kanë asnjë agjendë politike apo që mund të konsiderohen se do ta mbrojnë interesin e njërës apo tjetrës parti politike.
KMDLNj shpreson se në seancën e Kuvendit të Kosovës më 13 mars 2014 deputetët do të votojnë në numër të mjaftueshëm për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.