KMDLNj: Ka kaluar koha e djegies së librave
Prishtinë, 16 korrik - Sipas informatave të KMDLNj së e që tash janë bërë publike, OVL e UÇK në varrezat e Dëshmorëve në Ferizaj ia futi flakën librit të Veton Surroit Këmbët e gjarpërit me arsyetim se autori i këtij libri e mohon luftën çlirimtare të UÇK së, fyen luftëtarët dhe udhëheqësit e kësaj lufte duke e mohuar edhe vet ekzistencën e UÇK së. Djegia u bë në mënyrë simbolike, si shprehje e pakënaqësisë me përmbajtjen e librit.
KMDLNj përkujton se e drejta e fjalës së lirë dhe shprehjes e shprehur gojarisht apo në formë të shkruar është njëra ndër të drejtat elementare të njeriut e garantuar me Kushtetutën e Kosovës si dhe me të gjitha dokumentet relevante ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
KMDLNj e dënon këtë veprim të djegies së librit si sulm që e rrezikon lirinë e fjalës dhe lirinë e shprehjes dhe kërkon nga organet përgjegjëse që menjëherë ti nisin hetimet për këtë rast. Djegia e librit , qoftë edhe si simbolikë është porosi e keqe për demokracinë dhe përkujton kohën e Rajhstagut, djegien e veprave të Salmon Ruzhiesë nga ajatollahët si dhe rasti i djegies së librit të Blendi Fevziut.
Pavarësisht përmbajtjes së librit të Veton Surroit që dikujt mund të mos i pëlqej, djegia e librit nuk arsyetohet me asgjë aq më parë që ka rrugë ligjore për kontestimin e përmbajtjes së këtij libri apo ndonjë publikimi në rast se vlerësohet se përmbajtja është e pavërtetë, fyese, përjashtuese apo nxitë urrejtje racore, fetare etj.
Në një shtet ligjor duhet të sillemi në përputhje me ligjin dhe shkelësit e ligjit, si ata që shkruajnë edhe ata që të drejtën mbi të vërtetën e kanë privatizuar duhet të trajtohen në përputhje me ligjin.
Të drejtat e njeriut janë të drejta universale dhe si të tilla duhet ti respektojmë ndërsa përgjegjësia është individuale dhe si të tillë duhet ta trajtojmë!