03 Maj 2024

KMDLNJ: Ivanoviq, pjesëmarrës në dy masakra

Mitrovicë, 28 janar - Oliver Ivanoviq, i njohur si Ola, hetohet për krime lufte gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Krimineli i lartpërmendur është pjesëmarrës i masakrës së 14 prillit 1999, në vendin e quajtur ‘Rruga e Kovaçve’ në Mitrovicë”, thuhet në kumtesën e veprimtarit të KMDLNJ-së nga Mitrovica, Halit Berani.

“Me këtë rast janë pushkatuar 31 shqiptarë pa dallim moshe, të cilëve pas pushkatimit ua kanë humbur edhe trupat e pajetë. Pas një pune shumë të madhe të disa veprimtarëve të KMDLNJ-së, Qendra rajonale në Mitrovicë... kemi arritur që në shtator 1999 të zbulohen trupat... në një varrezë masive në fushat djerrina në mes të fshatrave Suhadoll i Poshtëm dhe Vidimiriq”, thuhet në kumtesë.

Me këtë rast janë identifikuar 26 trupa, përmes rrobave dhe gjësendeve tjera nga familjarët, ndërsa pesë nuk janë identifikuar për çka janë bartur në morgun e Rahovecit.

“Kryekrimineli Oliver Ivanoviq - Ola, është pjesëmarrës i drejtpërdrejt i masakrës së 3 dhe 4 shkurtit 2000, kur në lagjen ‘Ibri’, pjesa e okupuar e qytetit të Mitrovicës, u pushkatuan brenda nëpër shtëpi dhe banesa 10 shqiptarë; u plagosën rënd e lehtë me armë zjarri 25 shqiptarë; u keqtrajtuan rëndë fizikisht 93 shqiptarë... Të gjitha këto tri kategori, pa dallim moshe e gjinie, duke filluar nga fëmija 13 vjeçar - Nderim Ajeti - e deri tek plaka 60 vjeçare Selime (Omer) Berisha. Aksioni ka filluar mbrëmjen e 3 shkurtit 2000, rreth orës 20:30, dhe ka vazhduar deri më 4 shkurt 2000 në orë 4:00 të mëngjesit. Krimineli në fjalë ka udhëhequr të ashtuquajturat ‘Rojat e urës’ të cilët kanë arritur të dëbojnë me dhunë nga shtëpitë dhe banesat e tyre 1564 familje me 11364 anëtarë, banorë këta shqiptarë të pjesës së okupuar të Mitrovicës. Për të gjitha këto, por edhe të tjera, KMDLNJ, Qendra rajonale në Mitrovicë, ka deklarata të deponuara në arkivin e vet”, vazhdon kumtesa.

KMDLNJ, Qendra Rajonale në Mitrovicë, kërkon nga organet e drejtësisë që me këtë rast të merren seriozisht faktet e ofruara nga dëshmitarët, deklaratat e të cilëve janë të deponuara në KMDLNJ dhe në hetuesi.

Ndryshe, sipas një kumtese të EULEX-it, sot gjatë ditës, Oliver Ivanoviq është paraqitur vullnetarisht në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut, me marrëveshje paraprake në mes të një prokurori ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) dhe përfaqësuesit ligjor i Ivanoviqit.

“Prokurori pastaj ka zhvilluar një intervistë me Oliver Ivanoviqin, si i dyshuar në një hetim për krime të luftës, së bashku me akuzat për vrasje të rëndë të kryer pas konfliktit. Intervista ka përfunduar dhe prokurori ka ekzekutuar urdhrin për arrestim, dhe është duke kërkuar nga gjykata që të marrin në konsideratë kërkesën për paraburgim. Aktualisht kërkesa për paraburgim i është paraqitur gjykatës dhe kjo është e gjitha që mund të themi për momentin”, thuhet në kumtesë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)