KMDLNJ: A po vendosë kokteji Molotov për fatin e Kosovës!
Prishtinë, 21 mars - Dita ditës Kosova po i pëngjanë Turqisë sepse nuk po kalon një ditë pa kërcënim të sigurisë përmes zjarrvënies në objektet institucionale dhe vetura zyrtare por edhe private. Rasti i fundit ishte hedhja e koktejit Molotov në Gjykatën Themelore dega në Lipjan dhe për pasojë kishim shkatërrimin e një zyreje që u përfshi nga flaka.
Flitet për dy sulmues të maskuar të cilët në drejtim të Gjykatës hodhën dy shishe koktej Molotov që nënkupton se këto akte ( kushdo që i bënë ato ) terroriste dhe kriminale duke sulmuar institucionet e Kosovës të ndjellin frikë te qytetarët , të shkaktojnë anarki e cila , për stacion të fundit të këtyre që po e rrezikojnë pronën dhe jetën e qytetarëve të Kosovës , e kanë skenarin e Turqisë.
Për KMDLNj në është e habitshme dhe e papranueshme që përkundër aq shumë sulmeve ende nuk janë kapur urdhëruesit , planifikuesit por edhe zbatuesit e këtyre veprimeve kriminale. Tash , nuk ka dyshim se këto sulme janë mirë të planifikuara dhe koordinohen nga një qendër e përbashkët. Të sulmohen institucionet qeveritare , Kuvendi , Presidenca dhe institucionet e drejtësisë nënkupton se sulmohen vet themelet e shtetit dhe pasojat do të jenë të rënda , si në aspektin politik , ekonomik , afirmativ e sidomos të sigurisë sepse kanë për qëllim krijimin e kushteve për një pasiguri të përgjithshme. Këta që po hedhin koktej Molotovi ( kushdo qofshin ata ) nesër lehtësisht mund dhe do të hedhin edhe bomba apo eksploziv nëse organet hetuese nuk marrin veprime të shpejta dhe efikase që duke i arrestuar përgjegjësit për këto sulme dhe duke i sjellë para organeve të drejtësisë.
KMDLNj e dënon ashpër sulmin e fundit në Gjykatën Themelore dega në Lipjan duke e cilësuar si sulm kriminal kundër institucioneve të Kosovës dhe sigurisë së qytetarëve dhe kërkon të zbutet retorika luftënxitëse midis politikanëve që po kontribuojnë në përshkallëzimin e situatës. Adresimi i fajësisë tek individë të caktuar apo subjekte politike , pa përfunduar hetimet dhe pa u përcaktuar faji i mbështetur në prova është kontribut në përshkallëzimin e situatës , rrugëtim drejt anarkisë si dhe ndërhyrje në hetim dhe pengim i hetimeve.