KKSB: Mitrovica tani më është një qytet stabil
Mitrovicë, 17 dhjetor - Kryesuar nga drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj e në prani të kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, është mbajtur mbledhja e radhës, e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), në të cilën marrin pjesë përfaqësuesit e institucioneve për siguri, të shoqërisë civile, të mjediseve përkatëse etj.
Kryetari Bahtiri ju tha të pranishmëve se gjendja e përgjithshme politike dhe e sigurisë në komunën e Mitrovicës është stabile dhe shumë më e mirë se në të kaluarën.
Kur them stabile, e kam fjalën si për komunën që drejtohet nga unë, ashtu edhe për lagjet veriore ku jetojnë shqiptarët, të cilët në të kaluarën kishin mjaftë probleme të kësaj natyre, por që fatmirësisht, tani ato i kanë tejkaluar. Vet ata që jetojnë në këto lagje thonë se gjendja e sigurisë është shumë më e mirë se përpara dhe se ndjehen të qetë deh lëvizin e qarkullojnë pa probleme, ka thënë kryetari Bahtiri.
Sipas kryetarit Bahtiri, deri tek përmirësimi i përgjithshëm i gjendjes ka ardhur ndër të tjera edhe për shkak të bashkëpunimit të mirë të drejtuesve të të dyja komunave, të cilët janë angazhuar drejtpërsëdrejti për tejkalimin e problemeve dhe përafrimin e qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike.
Ai tha se ky vlerësim qëndron dhe është konfirmuar edhe nga organet kompetente të sigurisë, si atyre vendore, ashtu edhe ndërkombëtare, pa marrë parasysh se kanë ndodhur disa incidente të vogla, për të cilat fatbardhësisht është konstatuar se nuk kanë pas prapavijë politike e as motive ndëretnike.
Të qetë, stabile e pa probleme të mëdha, gjendjen e sigurisë në komunë e vlerësoi edhe komandanti i stacionit jugor të policisë, Ahmet Gjosha.
Komandanti Gjosha këtë e dëshmoi edhe me statistika konkrete të policisë, sipas të cilave, gjatë 11 muajve të këtij viti, veprat e përgjithshme që bien ndesh me ligjin kanë rënë për 15,92 për qind, veprat penale për 26.09 për qind dhe ato ekonomike 40,32 për qind, krahasuar me të njëjtën periodë të vitit të kaluar.
Ne kemi kontakte të përditshme me qytetarët. Në disa mjedise, sikur bie fjala në lagjen ku jeton komuniteti rom, ashkali e egjiptas, policia është 24 orë dhe vlerësimet tona janë se ndjenja e sigurisë tek të gjithë qytetarët, para edhe tek ata të komuniteteve, ësshtë e mirë dhe pa probleme të mëdha, ka thënë komandant Gjosha.
Ai ka folur edhe për masat që po i merr policia në prag të festave të fundvitit, për të shtuar sigurinë e qytetarëve, duke thënë se nëpër shkolla po organizohen ligjërata për rrezikun nga mjete pirroteknike.
Kemi hartuar planet konkrete për të pas siguri të plotë gjatë festave të fundvitit. Me komunën po punojmë ngushtë për të qenë të përfituar për sezonin e dimrit. Do të ndërmerren masa që mjetet piroteknike të shiten vetëm në dyqanet me leje përkatëse, e jo nëpër rrugë dhe të gjenden në duar të fëmijëve, ka thënë ai.