Kisha të kthehet në muze
Shumica mendojnë se objekti është i imponuar dhe si i tillë duhet të rrënohet, mirëpo liderët institucionalë kosovarë, përfshirë edhe pakicën serbe, kërkojnë që objekti të rivitalizohet dhe të shërbejë si faltore serbe.
Gazeta Zëri ka intervistuar disa nga qytetarët e Prishtinës, duke marrë mendimin e tyre rreth kësaj kishe. Disa thanë se kisha ortodokse që gjendet brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës është objekt i imponuar dhe është ndërtuar nën masat e dhunshme nga regjimi serb, por ka të tillë që kërkojnë që ky objekt të shndërrohet në muze si një fakt i pamohueshëm i represionit serb në Kosovë.
Kurse Drejtoria për Kulturë e cila është në kuadër të Komunës së Prishtinës ka thënë që, gjithsesi që do të shikohej mundësia e realizimit të idesë që qytetit ti shtohet një muze apo qendër e kulturës, sikur ky objekt të ishte në pronësi të Komunës.
Sipas drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport, Besart Vllahinja, Komuna e Prishtinës i referohet aspektit ligjor dhe planit urbanistik sa i përket objekteve që ndodhen në kryeqytet.
Komuna e Prishtinës riafirmon faktin që ligjvënësi ka miratuar ligjet përkatëse për ndërtim, për planifikim dhe legalizim. Çdo subjekt, fizik apo juridik, me rastin e planifikimit për ndërtim duhet të marrë leje prej Komunës së Prishtinës, tha ai.
/Zëri/