KGjK propozon Enver Pecin për kryetarë të Gjykatë Supreme të Kosovës
Prishtinë, 6 mars - Është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nën kryesinë e kryesuesit z.Nehat Idrizi.
Gjatë këtij takimi anëtarët e KGjK-së votuan për kryetar të Gjykatës Supreme të Kosovës. Gjyqtari i kësaj Gjykate, Enver Peci mori shumicën e votave, gjashtë vota për dhe katër kundër.
Pas këtij votimi, Këshilli i propozon Presidentit të Republikës Hashim Thaqi për emërim të kryetarit të GJ.Supreme Enver Pecin.
Enver Peci ishte kryesues i KGjK-së, i cili e drejtoi Këshillin për gjashtë (6) vjet me radhë. Aktualisht është gjyqtarë në Gjykatën Supreme. Ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Prej vitit 1987 deri më 1993 punoi si gjyqtar në Gjykatën Komunale në Mitrovicë.
Nga viti 1993 deri në vitin 2000 punoi si avokatë, prej vitit 2000 deri më 2002 punoi si gjyqtar në të njëjtën Gjykatë, më vonë u emërua gjyqtarë në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, ku punoi deri në vitin 2010.
Në vitin 2004 u emërua trajnues në Institutin. Ndërsa, në vitin 2010 Peci u emërua gjyqtarë në Gjykatën Supreme të Kosovës, anëtarë i Këshillit Gjyqësor dhe kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Detyrën e kryesuesit e dorëzoi më 8 mars 2016. Peci pas emërimit do ta drejtojë Gjykatën Supreme për shtatë (7) vjet me radhë.
Konkurrentë për kryetar të kësaj Gjykate ishin edhe gjyqtarët, Valdete Daka, Nesrin Lushta dhe Erdogan Haxhibeqiri.
Gjithashtu, në këtë mbledhje Këshilli miratoi dorëheqjen e drejtorit të Sekretariatit të KGjK-së z.Albert Avdiu nga kjo pozitë.