KGJK lansoi sistemin e parë online të të dhënave të centralizuara kriminale
Prishtinë, 23 dhjetor - Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), i mbështetur nga Bashkimi Evropian në Kosovë, lansoi sot sistemin e parë online të të dhënave të centralizuara kriminale (DKCK) i cili do t'i mundësoj publikut dhe institucioneve që shpejt dhe pa pritur në radhë të të kenë çasje dhe të marrin çertifikatat e dosjeve kriminale.
Çertifikatat e dosjeve kriminale ofrojnë informacion të rëndësishëm në shumë procese vendimmarrjeje dhe nevojiten për të përfunduar shumë procedura administrative, si aplikimi për një vend pune, aplikimi për vizë etj.
Sistemi i ri do ta bëjë këtë shumë më të lehtë, duke kontribuar më tej në sigurinë juridike dhe transparencën.
Mbështetja e BE-së me vlerë 3.6 milionë euro për zhvillimin e DKCK, i cili funksionon sipas kërkesave të Sistemit të Informacionit të të Dhënave Penale Evropiane (SEIDP), përfshinte sigurimin e të gjithë harduerit të nevojshëm dhe zhvillimin e softuerit dhe kornizës ligjore dhe administrative.
“Sundimi i ligjit mbetet një nga prioritetet më të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt BE-së. Duke pasur një sistem që siguron transparencë të plotë ligjore dhe akses në dosjet kriminale do ta bëjë vendimmarrjen në sfera të ndryshme të jetës shumë më të lehtë, duke përfshirë kontraktimet e brendshme dhe investimet e huaja, duke kontribuar kështu edhe në zhvillimin ekonomik”, tha kreu i BE-së në Seksionin për Bashkëpunim të Kosovës, Johannes Madsen.
Pas kërkesave për mbrojtjen e të dhënave, Prokuroria, Ministria e Drejtësisë, Shërbimi Korrektues dhe Ministria e Punëve të Brendshme do të përdorin DKCK për të shkëmbyer informacione dhe për të mbajtur të dhënat e përditësuara.
“Sistemi DKCK shënon një moment historik të rëndësishëm në përpjekjet për të rritur transparencën dhe për të përmirësuar perceptimin publik për gjyqësorin, por gjithashtu do ta sjellë Kosovën një hap më afër rrugës së saj drejt anëtarësimit në BE”, tha kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.
BE-ja në Kosovë mbështet fuqishëm përmirësimin e sundimit të ligjit dhe funksionimin e sistemit gjyqësor të Kosovës, me projekte të asistencës teknike, për të ndihmuar Kosovën të përparoj në rrugën e saj drejt integrimit evropian.