KGJK: Arrestimi i kryetarit Mekaj shqetësues
Prishtinë, 21 korrik - Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka pranuar njoftimin zyrtar nga Prokurori i Shtetit, për arrestimin e Kryetarit të Gjykatës se Apelit, Salih Mekaj.
Duke mos paragjykuar epilogun e këtij rasti meqë është në fazën fillestare të procedurës, arrestimi është shqetësues dhe nuk mund të lerë indiferent askënd nga fakti se z. Mekaj si kryetar i Gjykatës se Apelit dhe anëtar i Këshillit Gjyqësor ushtron funksione me përgjegjësi në nivel të lartë institucional.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës dënon çdo sjellje të kundërligjshme aq më tepër nëse veprimi i tillë kryhet duke keqpërdorur pozitën zyrtare, andaj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të përcjellë nga afër këtë rast dhe do të iniciojë me kohë mekanizmat e brendshëm disiplinorë duke i njoftuar të gjithë mbi masat e ndërmarra.