15 Maj 2024

KFOR nuk ka bastisur selinë e policisë

Prishtinë, 13 prill - Lajmi për bastisjen e selisë së Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë nga ushtarë të KFOR-it dhe njësi të EULEX është hedhur poshtë nga drejtues të policisë të cilët u shprehën se kjo ishte një gënjeshtër.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, i ka thënë Kosovapress-it nëpërmjet telefonit, se informata e fundit e cila është plasuar nëpër disa media dhe portale të lajmeve, nuk është e vërtet.

“Absolut nuk është e vërtet se njësia speciale e Policisë së Kosovës në Mitrovicë është bastisur nga KFOR-i dhe EULEX-i. Kjo dhe është një gënjeshtër që ka qarkulluar nëpër disa media dhe portale të lajmeve”, ka thënë Sadriu.

Edhe Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka mohuar raportimet e disa mediave që ROSU-ja është bastisur nga KFOR-i në Mitrovicë, duke thënë se do të kërkojë sqarim nga KFOR-i për informacionet që kanë dalë në media.

Ai i ka siguruar të gjithë se ROSU-ja nuk mund të kontrollohet nga askush dhe ndonjë vendim të mundshëm për të intervenuar në veri nuk do të mund ta ndalte askush. Kuçi ka thënë pas mbledhje së Qeverisë se KFOR-i mund të jetë trembur pas zotimeve të Qeverisë për të vendosur rend dhe ligj në veri të Kosovësm, njofton KTV.

Edhe Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka hedhur poshtë raportimet e se pjesëtarët e tij kanë bastisur Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës, ROSU.

“Këtë javë ka pasur dy incidente të raportimeve të paverteta në media. Raportimi i tretë i pasaktë ka ndodhur të enjten, në lidhje me raportet tona me Policinë e Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki.

Sipas tij, misioni i NATO-s e konsideron Policinë e Kosovës si partnerin më të besueshëm dhe më të aftë kur është në pyetje sigurimi i ambientit të qetë dhe të sigurt.

“KFOR-i kurrë nuk e ka parë nevojën për të kontrolluar apo monitoruar ndonjë element të Policisë së Kosovës, ndaj hedh poshtë raportimet e sotme të paverteta”, ka deklaruar Novicki.

“Thashethemet e tilla shërbejnë vetëm për të minuar bashkëpunimin tonë të ngushtë me partnerët”, ka theksuar zëdhënësi i misionit paqeruajtës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)