KFOR nuk duhet të jetë i heshtur ndaj rrëmbimit të tre policëve të Kosovës
Prishtinë, 15 qershor - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot se KFOR-i nuk do të duhej të jetë i heshtur ndaj rrëmbimit të tre policëve të Kosovës, brenda territorit të vendit.
Kurti, duke raportuar para Kuvendit është shprehur se KFOR-i duhet të marrë përgjegjësinë efektive për ushtrimin e funksionit të saj mbrojtës, ndaj agresionit dhe shkeljes së sovranitetit territorial të Kosovës.
“Mbrojta e vijës kufitare është përgjegjësi e përbashkët e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës. Në rastet kur agresioni është i përmasave ushtarake, përgjegjësia e mbrojtjes së vijës kufitare do të duhej të ishte e KFOR-it."
"Kjo ndër të tjera për shkak të mandatit ndërkombëtar të NATO-s dhe përgjegjësisë që ajo ka marrë kur e dakordoj një marrëveshje me ish kryeministrin Thaci duke parandaluar shkuarjen e ushtrisë së vendit tonë në atë pjesë të shtetit. Prandaj ne ende jemi në pritje nga KFOR-i që të marrë përgjegjësinë efektive për ushtrimin e funksionit të saj të mbrojtjes, duke urdhëruar Serbinë që t’i kthej në Kosovë policët e kidnapuar dhe të ndëshkojë këtë shkelje flagrante të integritetit territorial, por edhe pikës 4 të Marrëveshjes së Komunavës."
"KFOR-i nuk duhet të jetë i heshtur dhe as i përulur ndaj një sulmi kidnapues të cilin edhe e kishte mandat të parandalonte. Nëse KFOR-i e shndërron këtë heshtje në normë dhe një far nënshtrimi të heshtur në ligj që dihet publikisht, atëherë një gjë të tillë të na thotë hapur dhe ashtu do të mohoj një përgjegjësi ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Megjithatë, Kurti ka potencuar se ka shprehur protestën e tij ndaj heshtjes së KFOR-it për këtë rast, derisa ka thënë se po punon për kthimin në Kosovë të tre policëve të rrëmbyer.
“Qeveria do të bëjë çdo gjë që të jetë e mundur duke punuar ditë e natë që t’i liroj nga kidnapimi të tre policët e Republikës. Mbrëmë kam pas biseda telefonike me emisarin special amerikan, Gabriel Escobar, ambasadorin Hovenier dhe në këtë takim po vij nga një takim i përbashkët me të gjithë ambasadorët e akredituar në Kosovë."
"Ne gjerë e gjatë i kemi informuar për ditën e djeshme dhe të sotme, derisa sot kur po bëhen 30 orë të kidnapimit të tre policëve dhe ende nuk e kemi deklaratën shpjeguese të KFOR-it, unë kam shprehur edhe protestën time për këtë heshtje por edhe kërkesën për reagim urgjent”, është shprehur ai.
Kreu qeveritar ka thënë se rrëmbimi i tre policëve është një akt agresioni ndaj Kosovës.